Kosova lutet të bëjë lutje në BE për vazhdimin e mandatit të EULEX-it
Prishtinë, 31 korrik – Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka pritur sot në një takim Semuel Zbogarin, Përfaqësues Special i Bashkimit Europian në Kosovë, zëvendësambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë Kelly C. Degnan, dhe zëvendësshefin e Misionit te EULEX-it Andy Sparkes.
Në takim u diskutua çështja lidhur me Misionin e EULEX-it dhe nevoja për një ftesë zyrtare nga Qeveria e Kosovës, drejtuar Bashkimit Europian, për vazhdimin e Misionit të EULEX-it në Kosovë, e bazuar në Kushtetutën e Kosovës, e ashtuquajtur “Shkëmbim i Letrave.”, thuhet në një kumtesë të Ministrisë së Drejtësisë dërguar medieve.
Me këtë rast Zëvendëskryeministri Kuçi theksoi se Shkëmbimi i Letrave mes Kosovës dhe BE-së duhet të ketë parasysh respektimin e bazës ligjore të Kosovës; kufizimin e mandatit te EULEX-it deri në qershor, 2014; pëlqimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga institucionet e Kosovës; krijimin e një marrëveshje bilaterale mes Kosovës dhe BE-së nëpërmjet këtij Shkëmbimi Letrash, dhe miratimin e marrëveshjes nga Kuvendi i Kosovës.
Zëvendëskryeministri Kuçi kërkoi gjithashtu ndihmë nga pala e EULEX-it për procesin e Liberalizimit të Vizave dhe Marrëveshjen e Stabilizim- Asocijimit . Këtu u diskutuan edhe një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me definimin e detyrave të EULEX-it dhe palës Kosovare, siç janë përmendur ne Dialogun e Strukturuar mbi Sundimin e Ligjit, dhe Bordin për Sundimin e Ligjit në Kosovë, të cilat do të përfshihen në një marrëveshje partneriteti mes Qeverisë së Kosovës, Zyrës së BE-së në Kosovë, dhe EULEX-it.