ICO-ja e mbështet dialogun politik
Zyra Civile Ndërkombëtare përkrah idenë e dialogut politik mes Kosovës dhe Serbisë. Dren Selimi, zëdhënës i kësaj zyre, ka thënë se Kosova është një shtet sovran dhe mund të ndërtojë marrëdhënie me cilindo shtet, kurse dialogu me Serbinë do të ishte shembull konstruktiv në këtë drejtim.
“ICO-ja e përkrah idenë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të lehtësuar nga BE-ja. Ka pasur shenja inkurajuese nga dialogu teknik por duhet bërë më shumë në zbatimin e marrëveshjeve. Zbutja e tensioneve dhe forcimi i bashkëpunimit ndërshtetëror dhe rajonal, përfshirë këtu edhe përmes takimeve mes presidentëve dhe kryeministrave të të dyja vendeve, do të duhej të jetë përkushtim i përbashkët i shteteve aspiruese për në BE”, ka thënë Selimi, transmeton portali Dukagjini.com.
Edhe ambasadori gjerman në Prishtinë, Ernst Reichel, qysh kohë më parë kishte paralajmëruar ndryshimin e formatit të bisedimeve.
“Mendoj se ka nevojë për diskutime përtej temave teknike, nëse e shihni situatën që tani mbretëron, shihet qartë se ka nevojë për diskutime tjera më të gjëra e jo vetëm tema teknike. Në këto bisedime do të bisedohej për marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Për normalizimin e këtyre marrëdhënieve. Veriu është një çështje e rëndësishme në këtë drejtim”, ka thënë Reichel.