Freizer: Qeveria e re serbe, e favorshme për Prishtinën
“Qeveria e re e zgjedhur në Serbi është partneri i vetëm, të cilin mund dhe do ta ketë Prishtina, andaj është e nevojshme që të shikohet përpara me shpresën që pikërisht për shkak të mbështetjes së tyre nacionaliste ata të jenë në gjendje ‘t’ia shesin’ më lehtë publikut marrëveshjet e arritura”, tha Sabine Freizer – drejtoreshë për Evropën në Grupin Ndërkombëtar të Krizave. Aj gjithashtu ka thënë se Qeveria e re serbe duhet t’ua shpjegojë njerëzve se veriu nuk mund të mbetet përgjithmonë tërësisht nën Serbi dhe duhet të ndodhë një tranzicion ku Serbia do t’ia dorëzojë kompetencat Prishtinës.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Freizer ka thënë se është e rëndësishme që, ose të vazhdojë dialogu teknik, ose ai të zgjerohet në nivel politik në mënyrë që lidershipeve në Kosovë e Serbi t’u jepet mundësia t’i diskutojnë çështjet statusore apo legale në karshi atyre teknike që i kanë diskutuar deri më tani.
“Është shumë me rëndësi të ketë një dialog politik, për shkak se çështjet si veriu janë çështje të ndjeshme që s’mund të zgjidhen në nivelin teknik, por të cilat kërkojnë disa marrëveshje politike ndërmjet Prishtinës e Beogradit”.
Sipas saj, dialogu do të duhej të kishte për qëllim integrimin gradual të veriut në institucionet kosovare.
Ajo pajtohet se nëse shihen njerëzit që përbëjnë qeverinë e re në Serbi, është pak sa shqetësuese, por sipas saj edhe Thaçi e ka thënë vetë se nuk duhet ta shikojmë të kaluarën e atyre njerëzve, por duhet ta shohim të ardhmen dhe se çfarë qëndrime dhe role do të kenë ata në të ardhmen..
“Qeveria e re e zgjedhur në Serbi është partneri i vetëm, të cilin mund dhe do ta ketë Prishtina, andaj është e nevojshme që të shikohet përpara me shpresën që pikërisht për shkak të mbështetjes së tyre nacionaliste ata të jenë në gjendje ‘t’ia shesin’ më lehtë publikut marrëveshjet e arritura”, tha Freizer.
Ajo shpreson se qeveria e re në Serbi është në gjendje t’ua shpjegojë njerëzve që veriu nuk mund të mbetet përgjithmonë tërësisht nën Serbi dhe se duhet të ndodhë një tranzicion ku Serbia do t’ia dorëzonte kompetencat Prishtinës.
“Kjo është ndoshta gjëja më e rëndësishme që mund ta bëjë qeveria në Serbi tani-të shpjegojë se do të ndodhë ky proces, që do të jetë një proces gradual për të cilin ata besojnë se do t’u ndihmojë dhe do t’u sjell përfitime njerëzve që jetojnë në veri”, tha ajo.
Sipas saj, në pjesën tjetër të Kosovës ku banojnë serbët “gjërat po e marrin ngadalë drejtimin e tyre meqë Beogradi po ia dorëzon Prishtinës disa kompetenca. Shpresoj që një tranzicion i tillë-gradual, të ndodhë edhe në veri”, tha Freizer. /Telegrafi/