EULEX-i ngre aktakuzë kundër tetë gjyqtarëve
Prishtinë, 31 korrik -Një prokuror i EULEX-it nga Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër dhjetë të pandehurve për një rast të korrupsionit. Të akuzuar janë: Ish-kryetari i Gjykatës Komunale të Prishtinës, katër ish-gjyqtarë të Gjykatës Komunale të Prishtinës, tre ish gjyqtarë të Gjykatës së Qarkut, një avokat dhe një përfaqësues të një Ndërmarrjeje Shoqërore, transmeton KTV.
Në komunikatën për media të EULEX-it, thuhet se prokurori e akuzoi ish-kryetarin e Gjykatës Komunale dhe 7 gjyqtarët për veprat penale shpërdorim të pozitës zyrtare dhe të autoritetit dhe për ndihmë në marrjen e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme. Ndërsa përfaqësuesi i një Ndërmarrje Shoqërore dhe avokati akuzohen për veprat penale të ndihmës për shpërdorim të pozitës zyrtare. Të akuzuarit dyshohet se janë përfshirë në 15 lëndë civile që kanë të bëjnë me padi pronësore kundër një Ndërmarrje Shoqërore, të cilat ishin nën kompetencën e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës. Të akuzuarit janë përfshirë në role të ndryshme në bazë të punës dhe profesionit të tyre.