Shpresojnë në presionin e Brukselit për lirimin e Halitit
Qeveria e Kosovës po shpreson në presionin e Bashkimit Evropian mbi autoritetet e Serbisë për lirimin e Nehat Halitit, 32-vjeçar nga Prizreni, i cili u arrestua të shtunën në Serbi nën akuzat për krime lufte.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë të dielën se për rastin e qytetarit Haliti do të veprohet sikur në rastet e mëhershme.
“Ne ndërhyjmë në këto raste zakonisht në BE dhe përmes mekanizmave ndërkombëtarë të bëhet presion te Beogradi”, ka thënë ai. “Edhe në këtë rast do të reagojmë njëjtë si në rastet e tjera”, tha ai, njofton “Koha Ditore”.
Zëvendësi i kryeministrit Thaçi ka thënë se veprimet e autoriteteve serbe janë pasojë e perceptimit të tyre për luftën e UÇK-së dhe se për ndërprerjen e një praktike të tillë rol mund të luajë vetëm bashkësia ndërkombëtare e në veçanti Brukseli. Reagimi i tyre ndaj njerëzve që e kanë bërë atë luftë dhe të atyre që e kanë çliruar Kosovën do të jetë permanent”, ka thënë ai. “Këtu bashkësia ndërkombëtare duhet ta luajë rolin. Fuqia e ndikimit është e SHBA-së dhe e BE-së, në veçanti e BE-së”.
I dyti i Qeverisë ka treguar se vetëm para një muaji ka ushtruar ndikimin te Interpoli për të shpëtuar dyzet qytetarë të Kosovës nga futja në listën e fletarrestimeve.
“Unë duhet ta them: vetëm para një muaji ashtu afërsisht ka qenë një kërkesë e Serbisë për t’i vënë dyzet qytetarë tanë në fletarrestim në Interpol dhe reagimi im personal si zëvendëskryeministër dhe ministër ka qenë në Interpol dhe pastaj Interpoli e ka marrë parasysh”, ka thënë ai. “Kjo është një çështje që duhet të punojnë Interpoli e mekanizmat ndërkombëtarë me Serbinë dhe të mos pranohen kërkesat që kanë të bëjnë me, po iu them, krime politike”.
Sipas të afërmve të Halitit, ai është prangosur përderisa me autobus po udhëtonte nga Austria për në vendlindje dhe pas ndalimit me kërkesën e Prokurorisë serbe për krime lufte është dërguar në paraburgim në Beograd.
“Nehati është arrestuar në Suboticë, derisa po udhëtonte me autobus prej Austrisë për në Prizren. Ai është dërguar në mbajtje në Beograd dhe akuzohet nga prokuroria gjoja për krime lufte”, ka thënë një i afërm i tij.
Familjari ka theksuar se Haliti në atë kohë ka qenë në Shijak të Shqipërisë dhe nuk ka gjasa të jetë i përfshirë në kryerjen e çfarëdo lloji të krimit. Ndërsa pas lufte bashkë me familjen jeton në Austri.
Arrestimi i Nehat Halitit me dyshimet për pjesëmarrje në krime ndaj popullatës civile serbe nuk është rasti i parë i këtij lloji. Muaj më parë policia serbe pati arrestuar Mark Kashnjetin nga Prizreni, me të njëjtat akuza. Me akuza të ngjashme në të njëjtin lokacion ishte arrestuar më 23 mars Buri Talat, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilit po ashtu i ishte caktuar masa e paraburgimit.
Në burg ishte mbajtur edhe kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve Metalikë të Kosovës, Hasan Abazi, i cili ishte arrestuar në fund të muajit mars në pikën kufitare Dheu i Bardhë, bashkë me Adem Murselin, njëri nën dyshimet për “spiunazh” dhe tjetri për “tregti me drogë”.
Pak ditë pas arrestimit të Abazit dhe Murselit, afër pikës kufitare në Merdar ishin prangosur edhe Shukri Binaku dhe Sami Beqiri, dy policë kufitarë kosovarë, arrestimi i të cilëve, sipas autoriteteve serbe, ishte bërë meqë ata “kanë qenë të armatosur dhe të uniformuar në territorin e Serbisë qendrore”. /Telegrafi/