Kalo te lënda

Serbët djegin një zyrë ofiqarie në Malësinë e Bujanocit

Në fshatrat e malësisë së Bujanocit, vandalët serb tani ndryshojnë formën e shkatërrimeve. Ky alarm është dhënë nga shoqata “Vatra“ me seli në Gjilan e cila tubon banorët e shpërngulur të kësaj treve.

Rasti më eklatant ndodhi pardje në fshatin Zarbicë të Malësisë se Bujanocit, kur u djeg zyra e ofiqarisë, e cila mbante të gjitha të dhënat personale të banorëve të disa fshatrave të kësaj ane.

“Kjo ngjarje e tmerrshme, që dinë të bëjnë vetëm koka të krisura, e cila ndodhi dje, është një vandalizëm i madh, por edhe një   dëshmi se aparati Serb me akterët e tij djegin e q`nuk djegin, shkatërrojnë e mundohen të humbin gjurmët e popullit edhe duke djegur Zyret e Bashkësisë Lokale.   Ky veprim a nuk është tentim për zhdukjen e të dhenave të qytetarëve të kësaj malësie?,  për ta zvogëluar në minimum numrin e popullsisë së kësaj malësie, për të krijur një klimë të pa sigurisë dhe frikës tek qytetarët, për ti bërë presion të largiohen edhe  ata pak bonorë që jan aty, por edhe ndalimin e atyre që shkojnë për cdo ditë të marrin dokumentet personale nga qytete të ndryshme???!“, reagon “Vatra“.

Para ca ditësh po në këtë malësi, një grup huliganësh serbë kanë thyer disa shtëpi në fshatin Novosellë të komunës së Bujanocit. Ata demoluan shtëpinë e Mefail Ramadanit, Hevzi Ramadanit, Shaqir Ibrahimit dhe Lazim Ramadanit, me qëllim frikësimin dhe shpërnguljen e tyre nga këto troje autoktone shqiptare.  Kjo ngjarje vandale, ka ndodhur javën e kalaur në sytë e xhandarëve serbë, të cilët me numër të madh janë të stacionuar në këtë zonë.

“Edhe njëherë, i lusim dhe i bëjmë thirrje faktorit ndërkombëtar, pushtetarëve në Beograd, Qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, por edhe politikbërësve nga Kosova Lindore, që të ndërmarrin diçka për parandalimin e dhunës, djegjes, veprimeve antinjerëzore, anticivilizuese, antidemokratike, antihumane ndaj shqiptarëve, pronës së tyre, kulturës, varrezave, trashëgimisë dhe çdo gjëje që na lidhë shpirtërisht dhe emocionalisht me atë vend, që kaq shumë e duam!“, apelon kjo organizatë, duke theksuar se reagimet e tyre kanë hashur në veshë të shurdhër dhe nuk po gjejnë mbështetje. (R.Demiri/INA)