Nishani takon ish presidentin Sejdiu
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot pasdite në një takim ish-Presidentin e Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu. Presidenti Nishani në vlerësimin e tij për ish-presidentin Sejdiu u shpreh se kontributet për Kosovën janë kontribute për paqen dhe stabilitetin në rajon duke shtuar se personaliteti i zotit Sejdiu është i lidhur ngushtë me përparimin e Kosovës dhe të ardhmen e rajonit, thuhet në komunikatë.
Ish-presidenti Sejdiu duke uruar presidentin Nishani për zgjedhjen në postin e lartë, shprehu bindjen se eksperienca politike dhe personaliteti i tij garantojnë suksesin në mandatin presidencial.
Sejdiu shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme që të gjitha institucionet shqiptare kanë dhënë për Kosovën në vazhdimësi si “borxh i natyrshëm i njerëzve të një gjaku”.
Nishani e falënderoi Sejdiun për fjalët e tij të ngrohta dhe e inkurajoi që të vazhdojë të mbetet aktiv për të kontribuar me eksperiencën dhe përkushtimin e tij për Kosovën, shqiptarët dhe rajonin tonë./Indeksonline/