Dy këshilla lamtumire të Surroit për Dellin
Prishtinë, 30 korrik – Ka vazhduar polemika ndërmjet ambasadorit të SHBA, Christopher Dell, me Veton Surroin, ai në gazetën “Kosova sot”, e ky në “Kohën Ditore”. Nuk dihet nëse ky është fundi i këtij debati interesant politik mes një diplomati të karrierës dhe një publicisti të Kosovës, që degjeneroi në polemikë të ashpër, sado që njëri e tjetri e sugjerojnë fundin. Ambasadori Dell ditë më parë në “Kosova sot” iu përgjigj serisë së shkrimeve të Surroit në “Kohën Ditore”, që ishin reagim ndaj pohimeve të ambasadorit se Surroi kishte lutur ndokënd që të merrte postin e presidentit të Kosovës, por ky i fundit sërish ia ktheu.
“Kudo që të shkosh, nëse ende shkon si diplomat, do të të këshilloja që të rilexosh përshkrimin e vendit të punës. Në të nuk shkruan se mund të sillesh si je sjellë në Kosovë”, i përgjigjet Surroi ambasadorit.
Nuk mund e as që dua të përgjigjem në kontekstin e “Wizard of Oz”, gjegjësisht versionit tënd “Lizard of Oz”. Është një botë krejtësisht tjetër mendore në të cilën je ingranuar, atje në Amerikë me miqtë e tu Dorothy, Tin Man, Cowardly Lion, etj., e këtu me miqtë e tu Stukaka, Berbati, Migrena e të tjera personazhe nga oborri i Gjarprit.
Kam frikë se kërkimi i analogjive letrare do të ma zgjaste këtë letër, diç që as kam dëshirë ta bëj e as besoj ke nevojë ta lexosh.
Në vend të këtyre do të përpiqem që të të jap dy këshilla.
Këshilla e parë është profesionale.
Nuk të ka hije si diplomat që të merresh me një qytetar privat të Kosovës.
(…)
Këshilla e dytë është burrërore.
Nëse ke zënkë me mua, lëri të tjerët”.
(Gjerësisht në “Kohën Ditore”).