Perëndimorët kundër synetisë, reagojnë myslimanët e hebrenjtë
A kanë të drejtë shtetet e Evropës që të ndalojë praktikën e synetisë me motive rituale e fetare tek djemtë e rinj, e sidomos foshnjat meshkuj? Sipas sondazhit të fundit të opinionit publik në Gjermani dhe në Austri, përgjigje pozitive japin 50 për qind e të anketuarve. Institucionet politike dhe organet legjislative kanë mendim të kundërt, nga frika e prishjes së panevojshme të marrëdhënieve me bashkësitë myslimane dhe çifute.
Tema e synetisë është me mijëra vite e vjetër, por ja që papritmas u gjet në faqet e para të mediave gjermane, duke shtuar edhe më shumë temperaturat e larta verore.
Në fund të qershorit, Zyra e Prokurorit të Shtetit në Këln është marrë me rastin e djaloshit katërvjeçar të besimit mysliman, i cili ka derdhur gjak deri në vdekje, për shkak të komplikimeve që kanë pasur pas synetisë.
Gjykatësi, për shkak të mungesës së bazës ligjore, e liroi mjekun i cili ka kryer operacionin, por në të njëjtën kohë rrethprerjen rituale të djaloshit e ka quajtur “shkaktim i paligjshëm i lëndimeve trupore”. Ai e ka quajtur këtë një praktikë barbare, për të cilën prindërit nuk kanë kurrfarë të drejte. Ai ka ftuar ligjvënësit që të marrin në konsideratë ndalimin e plotë të këtij veprimi fetar.
Parlamenti gjerman para ca ditëve miratoi një rezolutë me të cilën qetëson komunitetet fetar, ndërsa konfirmon se nuk ka asnjë qëllim për të ndërhyrë në lirinë fetare, dhe se kriminalizimi i synetisë nuk vjen në shprehje.
Masat megjithatë nuk janë qetësuar, gjë që dëshmon se vendimi i Gjykatës së Këlnit e ka prekur nervin e opinionit publik në Gjermani, e që si jehonë është bartur edhe në Austri.
Mjekët austriakë ishin të parët që shtruan pyetjen nëse synetia e foshnjave apo fëmijëve të vegjël mbulohet me ligj, në rastet kur për këtë nuk ka indikacione mjekësore. Pas tyre me këtë çështje janë marrë mediat, komunitetet fetare dhe politikanët lokalë.
Guvernatori i Vorarlbergut, një nga nëntë landet austriake, madje u ka rekomanduar spitaleve lokale që të përmbahen nga ndërhyrjet e tillë, derisa situata të mos definohet me ligj. Qeveria provinciale ka dërguar një kërkesë zyrtare në Ministrinë e Shëndetësisë në Vjenë, duke kërkuar që të mendohet për ndryshimin e ligjit.
Ministria austriake nuk dëshiron të ndryshojë ligjin, nga frika se mund të lulëzojë praktika e synetisë së paligshme në kushte të këqija higjienike, fenomen ky që mediat e quajnë “dega turistike e synetisë”.
Praktika mjekësore në Austri nuk e ndal rrethprerjen rituale, por këtë e lë ndërgjegjen individuale të një mjeku. Problemi megjithatë është ky: në Austri, vitin e kaluar, sipas statistikave zyrtare, janë kryer vetëm dhjetëra syneti, e mijëra të tjera pa tregues të qartë mjekësor. Në Vorarlberg, për shembull, që ka një përqindje të lartë të popullsisë myslimane, fëmijët meshkuj nga familje myslimane, kanë gjashtë herë më shumë gjasa – se të tjerët – që të gjenden në grupin e “rrezikut të lartë shëndetësor”, për të cilin ilaçi i vetëm është synetia. Kur është e nevojshme një procedurë mjekësore, atëherë kjo do të thotë se pagesa bëhet nga buxheti i shëndetësisë, pra me paratë e taksapaguesve austriakë.
Përfaqësuesit e komuniteteve myslimane dhe çifute në Austri nuk kanë mirëkuptim për debatin publik për mundësinë që me ligje të ndalohet apo kufizohet kjo ndërhyrje kirurgjikale.
Fuat Sanac, kreu i bashkësisë islame, e quan këtë diskutim si “hipokrit dhe të rrezikshëm”. Ndërsa, presidenti i nderit i bashkësisë hebraike në Austri, Ariel Muzicant, thotë se ky debat është një “Holokaust i ri”.
Debati për ndalimin e synetisë ka karakter antisemit, thotë shefi i Këshillit Qendror të hebrenjve të Gjermanisë, Dieter Graumann.
“Njerëzit thonë një gjë, ndërsa mendojnë për gjëra të tjera; thonë se janë kundër synetisë, por në fakt janë kundër hebrenjve. Sigurisht, publiku gjerman ka të drejtë të flas në lidhje me rrethprerjen rituale, por kjo nuk do të thotë se do të ndryshoj diçka në këtë drejtim”, thotë Graumann.
“Synetia tek hebrenjtë është thelbësore, elementare”, shton ai për televizionin gjerman ZDF. “Ne këtë e bëjmë për më shumë se 4000 vjet, dhe e kemi ndërmend të vazhdojmë kështu, sigurt, edhe për disa mijëra vjet tjera”.
E përditshmja austriake “Die Presse” i dha hapësirë aktivistit Jonathan Enosch, themelues i iniciativës “Ben Shalem” (në hebraishte “Biri i paprekur”), që në Izrael lufton kundër synetisë fetare.
“Deri tani kemi vetëm dy për qind të prindërve të fëmijëve hebrenj që nuk i çojnë për rrethprerje. Është pakicë modeste, por që po rritet”, thotë ai Enosch.
“Sipas besimit të hebrenjve, në syneti dërgohen foshnjat meshkuj deri në tetë ditë, derisa tradita myslimane pranon një periudhë deri në 13 vjet. Ky detyrim fetar në të dy rastet nuk është i qartë. Synetia rituale e Abrahamit ishte joinvazive, më shumë simbolike”, shton Enoschi, duke e cituar Dhiatën e Vjetër. “Synetia e sodit është radikale. Libri i shenjtë islam, Kurani, askund nuk e përmend këtë praktikë. Tek ta ajo më shumë kushtëzohet në aspektin kulturor”.
Russell Crowe, aktori i njohur australian, fitues i çmimit Oscar, ka thënë sy synetia e foshnjave është “barbare dhe idiote”. /Telegrafi