Kalo te lënda

Hiqen suvenirët Kosovare

Suvenirët me simbole të Kosovës janë hequr nga “freeshopi”, i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, prej ditës kur e ka marrë atë nën menaxhim një kompani turke.

Edhe pse ky Aeroport mban emrin e heroit Adem Jashari, në hapësirat e tij nuk mund të gjesh ndonjë skulpturë ose fotografi të tij.

Zëdhënësi i ANP-së, Altin Ahmeti nuk e ka pasur asnjë koment. E në anën tjetër ministrja Çitaku, e cila nuk kishte qenë në dijeni për këtë, ka theksuar për gazetën Koha Ditore, se “kjo duhet të ndryshojë menjëherë”.

Vetëm disa muaj më parë, në hapësirën e “blerjes së lirë”, në Aeroportin Ndërkombëtarë të Prishtinës ka pasur me bollëk simbole të Kosovës. Suvenire si Hyjnesha në Fron, skulptura të personaliteteve, si aso të humanistes së madhe Nëna Terez, presidentit historik të Kosovës Ibrahim Rugova, dhe të heroit Adem Jashari, emrin e të cilit e mbanë Aeroporti I Prishtinës do të mbushnin raftet e kësaj hapësire.

Flamujt kombëtarë të shqiptarëve e asi shtetërorë të Kosovës kanë qenë simbolet e tjera që lehtë kanë mundur të bliheshin aty.

E punëtorët e këtyre dyqaneve që kanë shitur në hapësirat e Aeroportit, janë larguar nga puna pesë muaj më parë, kur atë e ka marrë nën menaxhim kompania turke “unifree”, edhe pse sipas tyre suvenirët Kosovare kanë qenë më të kërkuarat dhe janë shitur shumë./Indeksonline/