Policia serbe arrestoi Nehat Halitin
Në vendkalimin kufitar në Suboticë të Serbisë dje në orët e mbrëmjes është ndalur e më pas edhe arrestuar nga policia serbe, Nehat (Neshat) Haliti (1980) nga Prizreni. Ai, po udhëtonte nga Austria për pushime në Kosovë. Autoritetet kufitare serbe në forma të ndryshme po maltretojnë edhe qytetarë të tjerë shqiptarë, të cilët këtyre ditëve po kthehen për pushime në Kosovë.
Burime të Telegrafit bëjnë të ditur se pas mbajtjes prej mbi 12 orësh në stacionin policor në Suboticë, ai sot është transferuar në Beograd, ku edhe i është ngritur aktakuzë për krime lufte, keqtrajtim të dy personave gjatë luftës në Kosovë.
Informatën për ngritjen e aktakuzës e ka konfirmuar Natasa Kandic, drejtoreshë e Fondit për të Drejtën Humanitare.
Që nga pas lufta Nehati me familjen e tij (prindërit dhe fëmijët) jetojnë dhe punojnë në Austri dhe kanë qëndrim të përhershëm.
Haliti tashmë ndodhet në paraburgim në Beograd nën akuzën për krime lufte. Ai akuzohet se më 16 qershor 1999 në qytetin e Prizrenit ka rrahur dhe maltretuar civilë (një serbë dhe një shqiptar).
Familjarët i kanë thënë Qendrës Rajonale të KMDLNJ-së se për kohën që Nehati akuzohet, ai bashkë me familjen kanë qenë refugjatë në Shqipëri, përkatësisht në Shijak.
“Kjo është një akuzë që s’mund të vërtetohet me asgjë dhe se në atë kohë ne kemi qenë në Shqipëri si refugjatë, prej nga jemi kthyer në fund të qershorit”, i kanë thënë KMDLNJ-së në Prizren familjarët e të arrestuarit.
Po ashtu, bëhet e ditur se që nga pas lufta e deri në momentin e arrestimit Nehati ka udhëtuar me dhjetëra herën në këtë relacion dhe nëpër këtë kufi.
Bazuar në këto deklarata të familjarëve dhe burimeve të tjera, Qendra Rajonale e KMDLNJ-së kërkon nga reagim urgjent të mekanizmave ndërkombëtarë e vendorë dhe që të njëjtit të ndërhyjnë, për lirimin e Halitit nga arresti, përkatësisht paraburgimi, pasi në atë kohë ai s’ka qenë fizikisht në Prizren.
Nuk është vetëm, Haliti ai që ka pësuar nga policia serbe gjatë kthimit për pushime në Kosovë.
Një pjesë e madhe e mërgimtarëve kosovarë, të cilët po kthehen nga vendlindja për në vendet e perëndimit kanë rrezikojnë të humbin vendet e tyre të punës ose të zgjedhin ndonjë mënyrë tjetër udhëtimi për ti evituar barrierat të cilat po i paraqesin policët serb në disa vendkalime kufitare.
D.H. nga Drenica i cili posedon shtetësinë belge, ka thënë se është ndaluar nga policët serbë për faktin se posedon vulën e Republikës së Kosovës në pasaportën e tij belge.
“Policët serbë më ndaluan, me thanë se me këtë vulë nuk mund ta kaloj kufirin në Tabanoc. Jam me veturë, ndërsa më duhet të udhëtojë me aeroplan për të arritur në Belgjik, sepse ndryshe rrezikojë vendin e punës”, citohet të ketë thënë D.H. /Telegrafi/