Kalo te lënda

Nënshkruesit e Aktit të Pavarësisë nga Struga e Ohri

Pas publikimit të informacionieve lidhur me figurat e rëndësishme të historisë së shqiptarëve, sidomos pjesëmarrësve të Kuvendit historik të Vlorës, më 28 nëntor 1912, në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, dhe nderimet e dekorimet që u bënë personaliteteve dhe figurave të historisë së shqiptarëve nga tashmë ish presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, nga shumë delegate, me Urdhërin “Nderi i Kombit” u nderuan vetëm 3 delegat-pjesëmarrës nga Struga e Ohri. Ndër këto personalitete dhe figura,  kemi trajtua edhe figurën dhe personalitetin e dr.Myrteza Ali Strugës. Për këtë figurë dhe personalitet historik, një nga firmnëtarët e Aktit të Pavarësisë  në vitin 1912 në Vlorë, dhe për të tjerët, kemi shfrytëzuar të dhënat dhe informacionet që kemi arritur ti mbledhim nga burime të ndryshme, me ndihmën e prof.Dr. Nebi Dervishit, historian dhe pedagog në Universitetin e Tetovës.
U verifikuan të dhënat biografike  edhe  të dr.Myrteza Ali Strugës, firmëtarit të Aktit të Pavarësisë në Vlorë bashkë me Ismail Qemal bej Vlorën,(shoqëruar edhe nga Nuri Sojliu e Zydi Ohri, mandej Xhemal Beu, Hamdi bej Ohri-Qoku, Dervish Hima, Mustafa Barotçiu, që së bashku me:Ismail Qemal bej Vlora, Kacorri(Dom Nikoll Kacorri), Abdul Aziz Vehbi (Vehbi Dibra), J.Karbunara, Elmas Boco, Vehbi Arci, Qazim Kokoshi, J.Minga, Rexhep Mitrovica, Nebi Sefa (Lushnja), Abdi Toptani, Abas Dilaver(Qelkup-a), Mi’hat Frasheri, Shefqet Daju, Zihni Abas Kanina, Xhelal Koprencka, Hajredin Cakrani, Qemal Elbasani (Karaosmani), Iljas Vrioni, Salih Gjuka, Dhimitër Berati, Dhimitër Emanuel (Mborja), Dimitri Zografi, Murat Toptani, Pandeli Cale, Luz (Luigj) Gurakuqi, Bedri Pejani, Spiro (don) Ilo, Thanas Floqi, Lef Nosi,  Mustafa Asim Kruja, M.Ferid Vokopola, Ymer Deliallisi, Xhemaledin (Xhemal Deliallisi), dhe A.Rruci ishin firmëtarët e Aktit të Pavarësisë.
Të gjithë këta emra, të personaliteteve patriotike, janë pjesë e Monografisë, kushtuar 100 vjetorit të Pavarësisë, që është nga institucionet shtetërore të Shqipërisë, me autor Aleksandër Meksi
Në vazhdim, po japim disa njohuri për këto figura që e shënuan jo vetëm epokën e tyre, por edhe lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.
Këtu duhet të ketë vend edhe për djalin e Ismail Qemal bej Vlorës, Qazim bej Vlorën, pjesëmarrës aktiv, këshilltar, truproje dhe shef i Kabinetit të Ismail Qemal bej Vlorës, i cili vitet e fundit të jetës së tij jetoi dhe vdiq në Strugëdhe është varrosur në varrezat muslimane të qytetit të Strugës. Poashtu, ka vend edhe për personalitete tjera, që kanë dhënë ndihmesën teknike dhe organizative jo vetëm për delegatët e Kuvendit të Pavarësisë, por edhe në aspekte tjera të mbështetjes.
Dr. Myrteza Ali Struga (Dibra) 1878-1937

Doktor Myrteza Ali Struga, i diplomuar për teologji dhe mjekësi në Stamboll, iu dedikua krahas të tjerave edhe përhapjes së gjuhës shqipe  dhe mbrojtjes së interesave kombëtare që kulmoi deri në firmosjen e Deklaratës së Pavarësisë në Vlorë në vitin 1912.
Ai ka lindur në Dibër, më 1878, kurse shkollën fillore dhe të mesme e ka kryer në Strugë. Që në moshë të re i dedikoi shumë kohë përhapjes së gjuhës shqipe, sidomos te fëmijët e familjeve të varfëra. Kjo veprimtari u zgjërua më tej në kohën kur doctor Myrtezai së bashku me Nuri Sojliun dhe Zydi Ohrin, themeluan një shkollë shqipe, e cila kishte shtrirjen e vet në Strugë, Ohër, Pogradec dhe fshatrat për rreth.
Në vitin 1903, ai vendos të largohet për studime të larta në Stamboll, ku pas përfundimit të shkollës për teologji, mendon t’i vijojë studimet  edhe në Universitetin francez të mjekësisë të Stambollit. Emri i tij gjendet edhe në radhorin e studentëve të viteve 1909-1910 së bashku me Dr. Omer Nishanin me të cilin kishte lidhur një miqësi të ngushtë.
Gjatë viteve si student, Myrtezai bashkë me atdhetar të tjerë shqiptar, aktivizohet te klubi “Bashkimi” si dhe në organizatën e Rilindjes shqiptare me emrin “Burimi”. Në programin e këtyre organizatave politike dhe kulturore ishte jo vetëm arsimimi në gjuhën shqipe me alphabet latin ( në kundërshtim me predikimet e xhonturqëve për të përdorur alfabetin arab), por edhe një hap i parë për të siguruar autonominë e Shqipërisë.
Pas diplomimit në Stamboll, Myrtezai kthehet në atdheun e tij, në qytetin e Strugës, ku fillon të ushtrojë profesionin e mjekut. Në këtë punë, spikat humanizmi i tij. Në qytetin e Strugës, ai hap edhe farmacinë e tij, në të cilën përgatiste edhe barna për të sëmurët, pasi atëhere ishte e pamundur të gjendeshin barna. Duke parë perspektivën e zhvillimit të farmacisë së tij në Strugë dhe gjetkë, ai dërgon me studime në Austri, me shpenzimet e veta, nipin e tij, Xhevat Strugën, një djal i zgjuar i shkathët dhe energjik i cili diplomohet atje (djali i Zenel Strugës, në atë kohë tregëtar, i cili së bashku me Shukri Strugën, vëllain e tij, dhe ortakun Mitre Radozhda, kishin dyqanin e tyre). Përveç punës si mjek, Myrtezai nuk rreshti së përpjekuri për përhapjen e gjuhës shqipe. Në librin e Mitrush Kutelit, “Xinxifilla”, përmendet edhe doktor Myrtezai: “ Zemërmiri doktor Myrtezai erdhi që nga Struga mes fërfëllimës për të më vizituar se isha i sëmurë. Ai ishte mik i babait tim me të cilin  punonin për përhapjen e abetares shqipe” (Libri i Mitrush Kutelit “Xinxifilla” f. 147-148).
Shpesh herë mësimin e bënte edhe në mungesën totale të kushteve. Mësuesi i muzikës, Krasta, kujton se “doktor Myrtezai na e mësonte gjuhën shqipe duke shetitur me barkë në gjolin e Pogradecit”.
Në nëntor të vitit 1912, doktor Myrteza Ali Struga, së bashku me  Zuhdi bej Ohrin dhe Nuri Sojliun, Hamdi bej Ohrin, Mustafa Barotçiun, Dervish Himën u zgjodhën delegate të Ohrit e Strugës për në Kuvendin e Vlorës ku edhe firmosën në Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë ( në numrin 31 në listë është firma e Dr.H. Myrteza Aliut, ku fjala-shkronja “H” nënkupton titullin e marrë si Hafëz në Stamboll).
Në vitin 1918, doktor Myrtezai martohet me Fadile Blloshmin, vajzën e Hajdar Blloshmit dhe motrën e vëllezërve Selaudin, Haki, Shefqet dhe Xhevdet Blloshmi, e cila fatkeqësisht vdiq pas një kohe të shkurtër duke lënë vajzën gjashtë muajshe, Ferzijen. Po atë vit, doktor Myrtezai martohet për herë të dytë dhe gruaja e tij Nebija e mban dhe ushqen Ferzijen si vajzën e vet. Doktor Myrtezai pati nga martesa e tij e dytë  gjashtë fëmijë të tjerë: Qerime Struga (Baholli), lindur në Strugë, në vitin 1923, Adli Strugën, ( më vonë me mbiemrin Dibra), lindur në Strugë, më 1925, Ervehe Strugën (Laze nga i shoqi) lindur në Strugë, në vitin 1928, Nevzat Strugën, (më vonë me mbiemrin Dibra), lindur në Strugë, në vitin 1930, Fatmir Strugën, ( më vonë me mbiemrin Dibra), lindur në Peshkopi në maj të vitit 1934. Në fund të këtij viti (1934), familja e doktor Myrtezait, transferohet në Kavajë, në fillim në një shtëpi me qira, pastaj ndërton shtëpinë e tij.
Pse u largua doktor Myrtezai nga Struga për në Peshkopi? Në atë kohë, dy vëllezërit e tij, Zeneli dhe Shukriu, falimentuan në tregëti. Doktor Myrtezai u detyrua të nxirrte në ankand shtëpinë e tij dhe tokat që zotëronte, për të shpëtuar të dy vëllezërit. Me sa duket, përfituesi nga ky ankand duhet të ketë qënë Mitre Radozhda!
Doktor Myrteza Ali Struga, si patriot dhe rilindës i shquar, e priti me urrejtje pushtimin e Ohrit dhe të Strugës nga ana e ushtrive sërbe në fund të nëntorit të vitit 1912. Ai vihet menjëherë në krah të çetave atdhetare si të Abdulla Rushitit, Beqir Agës, Murat Sojliut etj. Ai nuk kursen aspak mjetet e tija financiare për të mbështetur këto formacione gjatë viteve 1912-1916. Kjo ndihmë e doktor Myrtezait, ran ë sy të autoriteteve ushtarake serbe, të cilët e internuan për një vit dhe ia qethën flokët. Për këtë ka rrëfyer gruaja e tij Nebije Struga (Dibra).
Në vitin 1920, përsëri si delegat i Ohrit dhe Strugës, doktor Myrtezai merr pjesë në Kongresin e Lushnjës, ku u morën vendime të rëndësishme për formimin e shtetit shqiptar dhe përmbrojtjen e teritoreve të Shqiopërisë nga coptimi që kërkonin t’i bënin shtetet fqinj, si Italia, Serbia dhe Greqia. Edhe në librin e tij me kujtime të profesor Dr. Fejzi Hoxhës mbi mjekësinë shqiptare, botim i vitit 1962 në Tiranë, përmendet edhe doktor Myrteza Ali Struga si një ndër figurat e shquara të mjekësisë shqiptare dhe firmëtar i Aktit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe delegate i shquar në Kongresin e Lushnjës. Poashtu, në librin e Flamur tartarit (bashkë me dy autor të tjerë: Andrea Gudha e Rozeta Bezhani), “Vështrim historik i organeve drejtuese të shëndetësisë shqiptare 1912-2000”, thuhet se doktor Myrteza Ali Struga ka qënë drejtor i spitalit të Peshkopisë nga vitet 1930-1934.
Pas largimit nga Struga, në fund të vitit 1930, ai caktohet në Peshkopi drejtor i Spitalit të Peshkopisë, që numëronte vetëm 8 shtretër, një gjë e pakëndshme për atë kohë, pasi kishte pak fonde. Iu desh të punonte në kushte mjaft të vështira, për shkak se i mungonin edhe ilaçet, për të mposhtur sëmundjet aq të përhapura në rrethin e Dibrës. Për më tepër, atëhere i shkurtojnë nga organika edhe kryeinfermierin e spitalit, pasi Peshkopia siç shprehej në atë kohë prefekti i Peshkopisë, “shëndetësia nuk mund të thuhet se është e keqe, mbasi si malsina që janë këto vende përfitojnë nga ajri, ujët e mirë e i pastër”. Porn ë ato treva bënin kërdinë sëmundjet e tilla si malarja, tuberkulozi, sifilisi etj. Edhe përpjekjet e doktor Myrteza Aliut për ti dërguar barna nga Tirana dështuan njëra pas tjetrës, pasi Drejtoria e Përgjithshme e Shëndetësisë hesht’te. Pas kësaj, në vitin 1934, e transferojnë mjekun “tepër kërkues” për në qytete tjera. Fillimisht e dërgojnë në Kavajë, më pas në Lushnjë, Elbasan dhe në fund në Lezhë, me një fjalë ishte mjek që nuk e linin të zinte vend. Në vitin 1935, përfundimisht vendoset në Lezhë. Atje hap edhe farmacinë e vet, pasi ilaçe kundër sëmundjeve infective nuk gjindeshin dhe shteti nuk i siguronte dot.
Në Lezhë gëzonte respektin dhe simpatinë e lezhianëve, ku të varfërve që nuk kishin  para të blenin ilaçe ua jepte falas.  Në vitin 1935 e transferojnë në fund në Tiranë me të shtatë fëmijët Atje gjenin rast të vinin për ta pa doktorin  por edhe mbesën e tyre Ferzijen,  Hajdar Blloshmi, në atë kohë 75 vjeç dhe Hakiu në atë kohë 31 vjeç. Bisedonin për çështjet shqiptare, merrnin ndonjë libër në frengjisht nga doktiori si të Ballzakut, Viktor Hygosë etj. Doktor Myrtezai zotëronte shumë mirë gjuhët turke, franceze, serbe dhe maqedonase.
Në mars të vitit 1937, disa muaj përpara 25 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, vdes nga një sëmundje e rëndë, duke lënë në pikëllim gruan dhe shtatë fëmijët e tij.  U largua nga jeta një mjek zemërmirë dhe i përkushtuar për punën që bënte, një patriot, një luftëtar i paepur për çështjen shqiptare, pavarësinë dhe lirinë e atdheut, një ndër 110 mjekët e pakët që kishte atëhere Shqipëria. Ai u përcoll me dhimbje dhe nderim të thellë nga shtatë fëmijët që i la të vegjël, nga farefisi, shokët, miqët, kolegët.
Pas çlirimit të Shqipërisë, doktor Myrteza Ali Strugës (Dibra), iu dha nga Kuvendi Popullor titulli “ Patriot” për veprimtari patriotike të çështjes shqiptare, ndërsa gruas së tij, Nebijes, iu akordua pensioni patriotic për të shoqin, pension të cilin e gëzoi deri në vdekjen e saj.
Në 70 vjetorin e Pavarësisë, në vitin 1982, merr pjesë edhe bashkëshortja e Dr.H. Myrteza Ali Strugës (Dibra), Nebija, e vetmja grua patrioti ende e gjallë deri atëhere. Asaj iu rezervua një vend i nderuar në tribunën e qytetit të Vlorës dhe në mbrëmjen e organizuar me atë rast.

Hamdi bej Ohri (04.02.1872-24.11.1938)

Hamdi bej Ohri, i  biri i Lumanit, lindi në qytetin e Ohrit, më 4 shkurt të vitit 1872. I përket familjes së dëgjuar të atdhetarit Iljaz Pashë Dibrës-Qokut. Pasi kreu shkollën Ruzhdije në Manastir, për dy vite shkollore vazhdoi mësimet në gjimnazin ushtarak të Stambollit. Në vitin  e tretë u shkëput nga shkolla dhe filloi të merret me aktivitete në Lëvizjen Kombëtare.
U lidhe dhe zhvilloi aktivitete kombëtare me Naim Frashërin, Dr.Ibrahim Temon, Çerçiz Topullin, Dervish Himën dhe Bexhet Bektashin. Afshi i zjarrtë i atdhetarisë mori hov tek Hamdi bej Ohri, sepse në dejt e tij vlonte gjaku i kulluar i gjyshit të tij, Iljaz Pashë Dibrës, i cili ishte një nga shtyllat më të forta të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Në vitin 1897 ai e hapi shkollën shqipe në Ohër, në ambijentet e shtëpisë së tij, me mësues Hajdar Blloshmin nga Starova. Autoritetet pushtuese osmane “lëshuan fermanin” për arrestimin e tyre dhe mbylljen e kësaj shkolle. Hamdi bej Ohri burgoset dhe dënohet me 5 vjet burg. Edhe gjatë vuajtjes së dënimit me burg, ai jepte mësimin e gjuhës shqipe. Pas protestave të shumta të atdhetarëve në Stamboll, Manastir, Dibër e Ohër, ai u lirua nga burgu më 1899.
Gjatë vitit 1899, pas daljes nga burgu, Hamdi bej Ohri, zhvilloi një veprimtari të dendur në mbështetje të Lidhjes Shqiptare të Pejës. Në vitin 1900, u këthye në Ohër ku bashkëpunoi me Sotir Kolenë në hartimin e një fjalori të gjuhës shqipe, i cili më vonë u zhduk.
Në vjeshtën e vitit 1900 ushëtoi për në Elbasan, Tiranë, mat e Dibër ku u takua me atdhetarët shqiptar. Pas takimit në Dibër, Porta e Lartë urdhëroi arrestimin e tij dhe e dënuan me burg. Pas dy vjet vuajtjeje në burg, me ndihmën e atdhetarëve, Sulltani e liroi nga  vuajtja e mëtejme në burg.
Në vitin 1902, së bashku me Ismail Qemalin, Ibrahim Temon, Dervish Himën, Hoxhë Kadriun, J.Erebarën shkuan në Paris ku morën pjesë në Kongresin e xhonturqëve. Në vitin 1909, në cilësinë e delegatit  të Ohrit ishin në KOngresin e Elbansanit dhe hapjes së shkollës normale. Në nëntor të vitit 1912, përfaqsoi Strugën e Ohrin në Kuvendin Kombëtar të Vlorës. Pas izolimit të plotë të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës dhe dorëheqjes së detyruar të Ismail Qemalit, më 22 janar të vitit 1914, Hamdi bej Ohri, u tërhoq tërësisht nga jeta politike.
Vdiq në Tiranë më 24 nëntor të vitit 1938. Në fjalimin që e mbajti mbi varrin e tij atdhetari Xhafer Zelka, mes tjerash ka thënë: “ U bashkua me të vdekurit tonë të pavdekshëm, mbas një lufte të gjatë për triumfin e idealit kombëtar” (shkruan gazeta “Drita” nr.334 e datës 1 dhjetor 1938).
Mustafa Barotçiu


Mustafa Barotçiu lindi në vitin 1876 në Starovë, në një familje me tradita kombëtare. Mësimet e para i kreu në Ohër, ku ishte vendosur në ndërkohë edhe familja e tij, në lagjen “Salaj male”, ndërsa shkollën e mesme e vazhdoi në Shkup. Në vitet 1905-1907, punoi në administratën osmane në Manastir.
Pas Kongresit të manastirit 14-22 nëntor të vitit 1908, bëhet një nga veprimtarët e Klubit “Bashkimi”. Bashkëpunoi ngushtë me Hamdi bej Ohrin, Zydi bej Ohrin, Murat Sojliun, Abdulla Rushitin dhe Fehmi Zavallanin. Në vitin 1909 ishte përfaqsues në Kongresin e Dibrës. Ai ka dhënë një kontribut të çmuar dhe ndihmesën e tij për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe , duke hyrë në marëdhënie me Klubin e Stambollit dhe shoqëritë patriotike të Bukureshtit.
Në vitin 1912 u përfshi në kryengritjen antiosmane dhe u dërgua nga hasan Prishtina dhe Nexhip Draga në mission në Malësinë e Kurbinit për të ndërlidhur veprimet me kryengritësit e kësaj Malësie.
Në gjysmën e dytë të vjeshtës së tretë /nëntor/ të vitit 1912, Mustafa Barotçiu u zgjodhe delegate i Strugës, Ohrit dhe Starovës në Kuvendin historic të Vlorës. Më 21 nëntor të vitit 1912, pas takimeve që u zhvilluan  me parinë dhe atdhetarët e Ohrit dhe Strugës, Mustafa Barotçiu dhe patriotët e kësaj zone i dërguan telegram Bashkësisë së Vlorës dhe Ismail Qemalit me këtë përmbajtje:”Net ë nënshkruemit shqiptar të Ohrit, marrim pjesë  me mburrje në veorimet e bashkimit kombëtar për me shpëtua Atdheun tonë nga gremina e rrezikut në të cilën ka rënë si dhe në vendimet që do të jepen për këtë punë” (Lef Nosi në dokumente historike nr.1 faqe 8, Elbasan, mars 1924).
Në dokumentet e këtij Kuvendi shënohet se “Erdhi një telegram nga z. hamdi bej Ohri dhe Mustafa Efendiu me të cilin thot se po vijnë edhe ata delegatë të Ohrit dhe Strugës” (Lef Nosi në dokumente historike nr.1 faqe 120, Elbasan, mars 1924). Pas këtij telegrami të dërguar prej tyre, nga Elbasani, në rrugëtim e sipër, Kuvendi i Vlorës njofton në mbledhjen e datës 7 dhjetor 1912 se midis delegatëve kishin mbërritur edhe Mustafa Barotçiu…
Nuri Sojliu (Bakalli)


Nuri Sojliu ka lindur rreth vitit 1872 në Strugë, në familjen e njohur të Murat Sojliut (Bakallit), e njohur për veprimtari kombëtare në këtë trevë dhe vëlla i Dr.Ibrahim Temos. Mësimet e para i kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen për financa e vijoi në Stamboll.
Që në rininë e hershme u përfshi në Lëvizjen Kombëtare. U lidh me Dervish Himën, me të vëllanë-Dr.Ibrahim Temon, Hamdi bej Ohrin e Nexhip Dragën me të cilët u brumos me ndjenjët e larta atdhetare.
Në vitin 1905, u emërua nëpunës në administratën osmane(turke) në Shkup e më pas në Starovë. Në vitet 1905-1908 shtëpia e babait të tij, Murat Sojliut ishte shëndërruar në qendër të Lëvizjes Kombëtare, ku Nuriu ishte tepër aktiv në përhapjen e ndjenjës patriotike. Ai kishte lidhje me Klubin e Manastirit, të Shkupit, të Bukureshtit ku ishte edhe Dr.Ibrahim Temo, Kristo Meksi e prej nga solli edhe shumë libra e abetare shqipe.
Në shtypin e kohës shkruhej: “Shtëpia e Murat Sojliut dhe Beqir Agës u bënë shkolla të gjuhës amtare, ku djelmëria gjenin libra e gazeta shqipe të dërguara prej bijve struganë që ndodheshin në mërgim” (Gazeta “Tomorri” 20 gusht 1942).
Pak kohë më vonë, të frymëzuar nga Dr.Ibrahim Temo, struganët formuan Klubin “Bashkimi”, me kryetar nderi Murat Sojliun, ndërkaq i biri, Nuri Sojliu u caktua sekretar dhe arkëtar. Klubi “Bashkimi” i Strugës,  zhvilloi një veprimtari  të gjërë për mbështetjen e kandidaturës së Dervish Himës për deputet në Parlamentin turk. Në krye të kësaj propaganda ishte Nuri Sojliu dhe shokët e tij, Rexhep hajdar Aga, Abdulla Gojëdrini (Rushiti) etj.
Me përpjekjet  e Nuri Sojliut dhe atdhetarëve të tjerë, Klubi i Strugës e hapi shkollën shqipe. Nuri Sojliu mbështeti Kongresin e Manastirit dhe alfabetin latin të gjuhës shqipe. Mori pjesë si i ftuar në Kongresin e Elbasanit dhe u bë iniciator për dërgimin e nxënësve strugan në atë shkollë.
Nuri Sojliu pati një korrespondencë të rregullt me Dr.Ibrahim Temon, Dervish Himën si dhe me Luigj Gurakiqin e Aleksandër Xhuvanin në Elbasan. Në nëntor të vitit 1912, Nuri Sojliu u zgjodh delegate i Strugës në Kuvendin historic të Vlorës, në shpalljen e Pavarësisë Kombëtare. Në gazetën “Tomorri” të datës 20 gusht 1912 shkruhej: “Klubi “Bashkimi” vazhdoi aktivitetin deri në ditën që sërbët e pushtuan Strugën më 1912. Me gjithë pengesat e vështërsitë e hasura, një ditë para se të hynte fuqia serbe (21 nëntor) në qytet Nuri Sojliu i mblodhi  dokumentet si dhe arkën e Klubit dhe u nis për në Elbasan, prej nga do të shkonte në Kuvendin e Vlorës si delegate i Strugës së bashku me Dr.Myrteza Ali Strugën, sipas kërkesës së bërë prej Ismail Qemal bej Vlorës”.
Në letrën e Ahmet Daklit që i shkruante Dr.Ibrahim Temos në Rumani, në fund të kësaj letre shënon: “Përditë shihemi me Nuri Efendiun”.
Zuhdi bej Ohri (nuk ka foto)
Një tjetër flamurtar i Vlorës, dërguar prej viseve shqiptare lindore, ishte edhe Zuhdi bej Ohri, i lindur më 1870, i cili vdiq në Tiranë më 1931. Ishte jurist i diplomuar në Universitetin e Stambollit.
Ishte pjesëmarrës i Lidhjes Shqiptare të Pejës më 1899. Në tubimet e Lidhjes së Pejës, “Besa-Besë”, duke folur në emër  të burrave të Maqedonisë shqiptare dha besën se do të luftonte me armë në dorë për të mos lejuar prekjen e trojeve etnike shqiptare.
Ai më pas u shqua  si organizator i Komitetit të Fshehtë “Për Lirinë e Shqipërisë” të Manastirit. Në vitet 1911-1912, Çeta atdhetare e Zuhdi bej Ohrit ndërmorri disa  akcione luftarake kundër forcave të xhandarmerisë turke. Në verën e vitit 1912, Zuhdi bej Ohri, në bashkëpunim me Hamdi bej Ohrin, Nuri Sojliun, Abdulla Rushitin, Sali Gjukën etj, zhvilluan një veprimtari të dendur për të ndihmuar dhe zgjëruar kryengritjen e përgjithshme si dhe për ti dalur zot vatanit.
Në nëntor të vitit 1912, Zuhdi bej Ohri, përfaqsoi Ohrin, Manastirin dhe Strugën në Kuvendin e Vlorës. Emri i Zuhdi bej Ohrit, është skalitur (në fund) në Aktin e Shpalljes së Pavarësisë. Për kontributin e madh që dha në Lëvizjen Kombëtare si dhe me pregatitjen e tij profesionale që kishte, Qeveria e Përkohshme e dalë nga Kuvendi i Vlorës, e emëroi Zuhdi bej Ohrin me dëtyrën e këshilltarit pranë Kryetarit të Senatit, Myfti Vehbi Dibrës.
Dervish Hima (Ibrahim Naxhi) (1875-1928)

Dervish Hima është veprimtar e publicist i dalluar i Rilindjes Kombëtare. Lindi në Ohër në vitin 1875, ku kreu edhe shkollimin  fillor, ndërsa të mesmen e vijoi në Selanik. Hyri në shkollën e lartë mjekësore-ushtarake të Stambollit, të cilën për shkak të ndjekjeve  të autoriteteve osmane  e ndërpreu pas dy vitesh.  Veprimtaria atdhetare te Dervish Hima gërshetohej  në një të vetme  me mendimin politik përparimtar.
Hyri në historinë e kombit shqiptar si një nga mendimtarët më të dalluar të Rilindjes, që la pas një trashëgimi politike e kulturore nga më të rrallat e kohës së tij për nga pasuria e sajë dhe me një vlerë të veçantë për njohjen e epokës së Rilindjes dhe të vetë jetës e të kontribuitit të tij në këtë lëvizje të madhe politike të popullit shqiptar (Shkruan Kristaq Prifti në librin “Dervish Hima”, Tiranë, 1993 f.6)
Dervish Hima fshehurazi në vitin 1895 u këthye në Shqipëri ku punoi për të përhapur idetë kombëtare dhe për hapjen e shkollave shqipe në vise të ndryshme të vendit. Më 1897, ai largohet nga Shqipëria dhe shkon në Bukuresht ku iu kushtua tërësisht Lëvizjes ombëtare Shqiptare.
Personalisht Dervish Hima, i veshur me uniformën e udhërrëfyesit e klerikut të bektashizmit, do të merrte fshehurazi libra nga Sofja e Konstanca, për t’i shpërndarë në Shkup, Tetovë, Gostivar, Kërçovë e Ohër.
Në rrugën e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare ai ka qënë dhe mbetet ndër luftëtarët sypatrembur të radhëve të para . Nga një rrugërrëfyes i sektit bektashian, ai u këthye në udhërrëfyes dhe prijës  i lirisë kombëtare. Kudo që shkelte këmba e tij në çdo vatër apo kullë, prej Tetove e deri në Dibër e Pogradec dukej se zemrat e shqiptarëve mbusheshin me më tepër shpresë. Nga se veprimtaria e tij ishte shumë e gjërë në fund të vitit 1910, konsulli A.H në Manastir njoftonte Vijenën se: “Dervish Hima, ky organizator i jashtëzakonshëm i zgjuar dhe konspirator profesionist po i organizon mjaft mirë komitetet e fshehura të shqiptarëve”.
Në ditët historike të nëntorit të vitit 1912, kur Ismail Qemal bej Vlora dhe atdhetarët tjerë shqiptar, pavarësisht nga vështërsitë e kohës e pengesat që nxorrën ushtritë osmane dhe pushtuesit e rinjë sërb, malazez e grek, ai bashkë me shokë po shkonin me shpejtësi drejtë Vlorës dhe Dervish Hima po nxitonte drejt atdheut për të marrë pjesë në aktin historik të Shpalljes së Pavarësisë.
Gjatë bisedës që ai ka zhvilluame ambasadorin austriak në Stamboll, Palaviçinin,  më 19 nëntor të vitit 1912, Dervish Hima ka theksuar se: “ Sado që një pjesë e intelektualëve shqiptar mendonin që ende Shqipëria të mbetej si shtet autonom, brënda kuadrit të Perandorisë osmane, shumica e atdhetarëve është për shkëputjen e sajë të plotë nga Turqia dhe për formimin e një Shqipërie të pavarur”(Shkruan Kristaq Prifti në “Dervish Hima”, f.331).
Dervish Hima ishte zgjedhur delegate i Ohrit e Strugës në Kuvendin Kombëtar të Vlorës. Pas mbërritjes së I. Qemalit në Vlorë më 25 nëntor, në mesin e delegatëve  që priteshin të vinin nga çasti në cast ishte edhe Dervish Hima. Mirëpo, sipas të dhënave të shtypit, ai nuk arriti në Vlorë në ditën e shënuar të Shpalljes së Pavarësisë. Në kushtet kur Kosova  dhe viset lindore të Shqipërisë ishin pushtuar nga forcat serbe, Dervish Hima nuk mund të këthehej në Shqipëri pos rrugës nëpër Triestë. Prandaj, nga Stambolli shkoi në Vienë dhe sipas të gjitha gjasave, Shpallja e Pavarësisë, më 28 nëntor të vitit 1912, ate e ka gjetur aty.
Në takimet që Dervish Hima pati në Vienë  me përfaqsuesit e Ministrisë së punëve të jashtme, shprehu edhe një herë mendimet e tija për të ardhmen e Shqipërisë. Ambasadori Italian në Vienë, i shkruante Romës zyrtare se në këto biseda, Dervish Hima kishte këmbëngulur që Shqipëria të përfshinte në kufijtë e sajë të gjitha viset shqiptare dhe të mos i jepej Serbisë asnjë port detar në bregdetin shqiptar. Shtetin e ri shqiptar ai e mendonte krejtësisht të pavarur dhe kërkonte që të mos lejohej asnjë  lloj ndërhyrje e jashtme e huaj.
Në ditët e para të dhjetorit të vitit 1912 niset nga Viena për në Triestë ku priti disa ditë derisa të gjej vapor për në Shqipëri. Në një kart postale që I dërgonte Dr.Ibrahim Temos më 13 dhjetor 1912, ai shkruante se pasi nuk kishte vapor për në Shqipëri, ai përsëri do të këthehej në Vienë.
Dervish Hima vdiq në Tiranë, më 21 maj të vitit 1928, në moshën 56 vjeçare. U varros në varrezat e “Bamit” me nderime të mëdha nga miqët e shumtë dhe qytetar të Tiranës e më gjërë.