Kalo te lënda

LDK kritikon politikat e “mbrapshta” të qeverisë

Partia më e madhe opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), vlerëson se politikat e mbrapshta të qeverisë së drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi, po shkaktojnë reaksione nga vendet fqinje në dëm të prodhuesve vendor.

“Vendimi i Qeverisë së Maqedonisë për vendosjen e taksës doganore për ujin për 40% dhe gypat e salduar për 15% vjen si rezultat i politikave të mbrapshta ekonomike të Qeverisë Thaçi”, thuhet në një deklaratë të LDK-së.

“Qeveria Thaçi po dëshmon se punon në interes të bizneseve të caktuara, e jo të qytetarëve të vendit. Tarifa në importin e çimentos i ka dëmtuar seriozisht shumë biznese për shkak të kontratave fikse të nënshkruara më herët. Të dhënat tregojnë se në fakt janë qytetarët e Kosovës ata që kanë paguar rreth 20% kosto më të lartë të ndërtimit si rezultat i vendimit të famshëm të Qeverisë Thaçi”.

Kostoja e këtij vendimi për importin e çimentos, sipas LDK-së, tash po prodhon efekte negative në marrëdhëniet ekonomike me vendet fqinje. Kjo parti vlerëson se eksportuesit kosovar të ujit dhe gypave do të dëmtohen jashtëzakonisht shumë me këtë vendim të Qeverisë së Maqedonisë.

“Qeveria e Kosovës nuk ka asnjë bazë mbi të cilën të kundërshtoi këtë vendim të Maqedonisë, pasi vet ishte e para që u involvuar në vendime të tilla që janë në kundërshtim me parimet e tregtisë së lirë dhe fqinjësisë së mirë”, vlerëson LDK. /Telegrafi/