Kontradiktat “Serbia në BE” dhe “Kosova është Serbi” !
Struktura e pushtetit në Serbi ka ndryshuar rrënjësisht. E megjithatë gjithçka pothuajse mbetet ashtu siç ka qenë. Qeveria e sapo betuar përbëhet kryesisht nga nacionalistë reformatorë dhe socialistë të sforcuar. Hapësira për veprim e kryeministrit të ri është mjaft e kufizuar: Së pari, qeverisë i duhet të ushtrohet në parandalimin e katastrofave. Shteti serb është pothuajse i falimentuar.
Në politikën e brendshme ai mund të mbështetet tek një shumicë e qëndrueshme. Ekipi i ministrave përbëhet nga ish-nacionalistët e vjetër me shpresë që tashmë jenë bërë më të pjekur, të larguar nga qeveria e mëparshme e përbërë nga demokratët, teknokratët e pushtetit dhe figura argëtuese nga parti të ndryshme të cilat me siguri do të krijojnë inskenime si nëpër kabare:
P.sh. gjuhëbrisku dhe agresivi, ish-ministër i Informacionit nën Milosevicin, Aleksandar Vucic. Për shkak të një ligji të hartuar në ministrinë e tij u morën në pyetje 250 gazetarë dhe pesë syresh u dënuan me nga pesë vjet burg. Ndër miqtë e tij politikë bën pjesë edhe nacionalisti francez Jean-Marie Le Pen. Si ministër i ri i Mbrojtjes ai ka tani të gjithë ushtrinë si një lodër në dorë. Sidoqoftë qysh nga viti 2008, ai tregohet si pro-evropian – në një mënyrë pak a shumë të besueshme. Ekuilibri i forcave mes Vucicit dhe Dacicit do të përcaktojë fatet e kësaj qeverie, shkruan “Deutsche Welle”.
Megjithatë kundërshtari i vërtetë i Dacicit nuk do të jenë demokratët, por dy grupime të skajshme: reformatorët radikalë nën liberal-demokratët e Cedomir Jovanovicit janë shumë të dobët për të bërë më shumë se sa t’i përmendin problemet, në rast se reformat mbeten në vendnumëro. Dhe, euroskpetikët e partisë së vogël të ish-kryeministrit Vojislav Kostunica, i cili do të shfrytëzojë çdo rast për të ngritur zërin kundër BE-së edhe pse tashmë i ka dalë boja me këtë.
Dacic e ka të sigurt shumicën e dy të tretave për anëtarësimin në BE në spektrin e madh të partive të qendrës në Serbi: Demokratët e skualifikuar madje kanë përfshirë në flamurin e partisë së tyre ngjyrën evropiane. Dallimi mes mazhorancës së re në Parlamentin serb dhe demokratëve të ulur në bankën e opozitës lidhur me çështjet kyçe thuajse është i padukshëm. Fituesja e madhe, partia e Progresit e Tomislav Nikolicit, si dhe socialistët e Dacicit, ndërkohë nuk janë më nacionalistë autentikë, por me karakter socialpopulist. Njëkohësisht demokratët, të cilët kryeministri Zoran Dindic – i vrarë në vitin 2003 – i futi në Internacionalen Socialdemokrate, kanë marrë ndërkohë si në vepra ashtu edhe në imazh ngjyrimin neoliberal.
Tadic dhe demokratët e tij duhet të përballojnë tani shokun e humbjes dhe t’i trajtojnë me sinqeritet gabimet e bëra. Ata bënë të aftë për parketin e pushtetit një parti pothuajse në vdekje klinike – socialistët – duke marrë në vitin 2008 në trupën qeveritare Ivica Dacicin, për të siguruar shumicën. Asokohe u fol për “pajtim historik” mes socialistëve, që atëbotë kishin humbur peshën dhe demokratëve, nën moton: “shefi ynë Zoran Dindic ka vdekur, shefi juaj Slobodan Miosevic ka vdekur – atëherë le t’i lemë me një anë konfliktet tona”. Ky pajtim i inskenuar, që u realizua pa zbardhjen e së shkuarës dhe pa e mbyllur një herë e përgjithmonë trashëgiminë e Milosevicit, kthehet tani si një bumerang politik.
Në politikën e jashtme që prej asaj kohe mbizotëron gjithashtu një konsensus mes partive të qeverisë së re dhe pjesë më të madhe të opozitës. Si parulla “Serbia në BE”, ashtu edhe ajo “Kosova është Serbi” janë predikimet e elitës politike serbe. Vet Ivica Dacic e di shumë mirë që herët ose vonë objektivat e tij në politikën e jashtme do të bien ndesh me njëra – tjetrën. Nga studenti i shkëlqyer i shkencave politike në Beograd dhe zëdhënësi i ri e cinik i socialistëve të Milosevicit, ai është sot një politikan i rrahur me vaj e uthull, që vepron plot taktike e rafinesë.
Ai përpiqet ta shtyjë sa më shumë këtë përplasje, me shpresën se Perëndimi njohjen eventuale të pavarësisë së Kosovës nga Serbia do ta vlerësojë të paktën në mënyrë simbolike. Vendet fqinjë Kroacia dhe Bosnje-Hercegovina do të vëzhgojnë me shumë kujdes, se si përfaqësuesit e politikës luftarake të Serbisë nga vitet 1990 vërtetë do të veprojnë si evropianë të bindur në rajon. Mbetet të shihet nëse qeveria e re në Beograd do t’ia dalë të realizojë një pajtim të qenësishëm në Ballkanin Perëndimor.
Deri në vitin 2008 organi i partisë së presidentit të ri të Serbisë Tomislav Nikolic quhej “Serbia e Madhe”. Sipas një deklarate, që atij iu desh të japë me marrjen e postit të presidentit, ai ende posedon aksione të shtëpisë botuese të partisë së tij. Firma quhet “Serbia e Madhe sh.p.k.”. Ndoshta kemi të bëjmë vetëm me gjurmë folklorike të një politike që i përket së kaluarës, por me sa duket biznesi i firmës vazhdon të ecë ende mjaft mirë.
Ndërkohë që në Serbi biznesi është në gjendje mjaft të keqe. Deklarata e parë qeveritare të lë të kuptosh se reformat e shpallura për ripërtëritjen e ekonomisë do të jenë të mundimshme dhe të pasigurta. Drejtësi e vonuar: Kryeministri Daciç, ish-favorizuari i Miloshevicit dhe presidenti Nikolic, ish-zëvendësi i nacionalistit predikues të urrejtjes Vojislav Seselj, të cilit po i bëhet procesi në Hagë, përmes veprimit politik ndoshta ia dalin ta shpallin zyrtarisht të dështuar projektin serbomadh. Ky është një projekt shkatërrimtar për Serbinë dhe vendet fqinjë, një projekt, të cilin e iniciuan të dy këta politikanë. /Telegrafi/