Kalo te lënda

Cameron: Impresionuese arritjet e Shqipërisë në fushën ekonomike, mbështetje të plotë për integrimin

Në Londër, kryeministri Berisha pritet në takim nga homologu i tij britanik, David Cameron. Shefi i qeverisë shqiptare falënderoi Britaninë e Madhe për mbështetjen e madhe ndaj faktorit shqiptar në rajon dhe e ftoi kryeministrin Cameron të marrë pjesë në festimet për 100-vjetorin e pavarësisë

Kryeministri Sali Berisha u prit dje në një takim të veçantë në mjediset e Pallatit Mbretëror (Buckingam Palace) nga Kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron.
Në këtë takim të përzemërt dhe miqësor kryeministri Berisha falënderoi përzemërsisht kryeministrin Cameron për kohën dhe pritjen e veçantë që i rezervoi në një ditë kaq të ngarkuar dhe i shprehu mirënjohjen e tij për të gjithë mbështetjen e çmuar që Britania e Madhe i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë në përpjekjet e saja për të ndërtuar demokracinë bazuar në vlerat e tregut dhe integrimin e vendit në NATO dhe tani në procesin e Integrimit Evropian si dhe për bashkëpunimin e frytshëm që ekziston midis dy vendeve tona ne fushën e zbatimit të ligjit.
Kryeministri Berisha e  njohu Kryeministrin Cameron me reformat e gjithanshme të ndërmarra nga qeveria nga viti 2005 e në vazhdim, rezultatet e këtyre reformave në treguesit kryesor të zhvillimit njerëzor në disa prej të cilëve Shqipëria ka arritur vendet e zhvilluara.
Kryeministri e njohu me arritjet e vendit në fushën e ekonomike, me rritjen ekonomike katër herë më të madhe se mesatarja e rajonit, arritjet në thithjen e investimeve të huaja ndër më të lartat për fryme dhe ndërtimin e infrastrukturës së re të vendit, ecurinë e Shqipërisë drejt moshës dixhitale.
Kryeministri Berisha e njohu gjithashtu kryeministrin e Britanisë së Madhe, Cameron me bashkëpunimin parlamentar dhe reformat e ndërmarra me opozitën për plotësimin e kërkesave të KE për statusin e vendit kandidat. Kryeministri Berisha e siguroi në këtë takim kryeministrin David Cameron se për qeverinë e tij dhe për shqiptarët integrimi i vendit në BE është projekti më kryesor dhe se ai e konsideron atë si një proces jetik dhe të bazuar në meritë.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar David Cameron shprehu kënaqësinë që takohej me kryeministrin Berisha dhe vlerësoi arritjet e Shqipërisë në të gjitha fushat në tërësi, rritjen ekonomike të vendit dhe rezultatin e reformave në këtë fushë si dhe e siguroi kryeministrin Berisha për mbështetjen e tij dhe të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për vendin tonë.
Kreu i qeverisë Berisha shprehu mirënjohjen ndaj Britanisë së Madhe për ndihmën dhe mbështetjen dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve në 100 vitet e pavarësisë së saj dhe ftoi Kryeministrin Cameron që të vizitojë Shqipërinë në kuadrin e 100 vjetorit të pavarësisë.
Kryeministri Cameron e uroi kryeministrin Berisha për 100 vjetorin e Pavarësisë dhe e falënderoi për ftesën, të cilën u shpreh se do ta konsiderojë sapo t’i jepet mundësia.