2013-ta edhe me një autostradë të re
Kosova dhe Shkupi do të jenë akoma më afër, pas mbarimit të autostradës që pritet të fillojë më 2013.
E për ndërtimin e saj janë interesuar dhjetëra kompani private vendore dhe ndërkombëtare, të cilat kanë shprehur interesim për ndërtimin e kësaj autostrade, e cila do të nisë, pas përfundimit të autostradës Vërmicë-Merdare.
Lah Nitaj, këshilltar në Ministrinë e Infrastrukturës, thotë për Radio Evropa e Lirë se shprehja e interesit do të jetë e hapur deri në javën e parë të muajit gusht dhe shpresohet që gjatë kësaj periudhe të ketë më tepër kompani të interesuara me renome ndërkombëtare.
Por, Nitaj nuk tregon ndonjë periudhë të saktë kohore se kur do të shpallet kompania fituese, për ndërtimin e autostradës që lidh Kosovën me Maqedoninë, por premton se kompani fituese do të shpallet ajo që plotëson kushtet, kriteret, parametrat dhe çmimin.
“Pas konsultimeve që kemi pasur me mekanizmat ndërkombëtarë dhe akterët qeveritarë, akordimin me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore, ne presim që proceset tenderuese dhe deri tek arritja e kontratës me operatorë të caktuar ekonomikë, të vijmë brenda vitit 2012”.
“Sipas kësaj dinamike të përcaktuar, planifikojmë që në pjesën e parë, me krijimin e rrethanave dhe kushteve të motit, të fillojmë me punimet e para. Shpresojmë të jetë kuarti i parë i vitit 2013”, bën të ditur Nitaj.
Por, si do të financohet ndërtimi i kësaj autostrade dhe sa do të kushtojë? Këshilltari Lah Nitaj, thotë se autoritetet kompetente vendore janë në kontakte të vazhdueshme me institucione të ndryshme financiare ndërkombëtare që të gjejnë mënyra për financimin e autostradës së dytë në vend.
“Janë shumë të kujdesshëm dhe të vëmendshëm që të kenë parasysh interesin e Kosovës, interesin e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe të mos rrezikojnë në asnjë moment parametrat financiarë të vendit”.
“Ne jemi në akordancë të plotë për fazën e tanishme të veprimeve të ndërmarra dhe nuk kemi ndonjë çalim në këtë drejtim. Por, do të jemi të vëmendshëm që parametrat makro-financiarë të vendit të ruhen, rruga të ndërtohet në partneritet dhe akordancë të plotë më të gjithë mekanizmat”, thekson Nitaj.
Projekti për realizimin e autostradës Prishtinë-Shkup është prezantuar në vitin 2010. Sipas projektit të prezantuar, autostrada do të ndërtohet në një trase tërësisht të re, me gjatësi prej 55 kilometrash.
Autostrada do të ketë dy tunele, ndërsa më i gjati do të jetë ai i Kaçanikut, me 2. 2 kilometra./Indeksonline/