Kalo te lënda

SHBA, nëpunësi i Ilir Metës dënohet me 6 vite burg për vrasje dhe krime të tjera

Gjykata e Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka dënuar me  6 vjet burg ish-zyrtarin e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, Almir Rrapo.

 Almir Rrapo, 28 vjeç, nga Tirana, ka qenë nëpunës në MPJ, si sekretar i përgjithshëm i kësaj ministrie, gjatë kohës që kjo ministri drejtohej nga Ilir Meta.

Media amerikane e cilëson ish-nëpunësin e Ministrisë së Jashtme, si një njeri që ka kryer krime “jashtëzakonisht të neveritshme”.

“Një njeri që ka kryer krime “jashtëzakonisht të neveritshme”, pjesë e një bande të droge në Island Staten, përpara se të bëhej një ndihmës i lartë i zëvendës kryeministrit të Shqipërisë u dënua me 6 vjet burg”,- shkruan sot New York Post.

Rrapo akuzohet nga drejtësia amerikane për rrëmbim vrasje dhe trafik droge, por gjykata në SHBA ka vendosur ta ulë masën e dënimit për 28-vjeçarin pasi ky i fundit bashkëpunoi me drejtësinë amerikane. 

28-vjeçari u arrestua në 2010-ën në ambasadën amerikane për llogari të drejtësisë në SHBA, pasi akuzohej për një sërë krimesh në territorin e SHBA-së, drejt së cilës u ekstradua me urgjencë në bazë të marrëveshjeve midis dy shteteve ka pranuar bashkëpunim për të lehtësuar dënimin.

Me t’u ekstraduar në SHBA, Almir Rrapo pranoi akuzat për vrasje në Queens, në 2005, rrëmbim dhe vepra të tjera kriminale në territorin e SHBA-së dhe vendosi të bashkëpunojë me prokurorinë.

Rrapo ishte anëtar i një bande kriminale që udhëhiqej nga Bruno dhe Saimir Krasniqi, të dy të dënuar me burg të përjetshëm. Dëshmia e Rrapos ndihmoi Gjykatën Federale të Manhatanit për të dhënë dënimin dy vëllezërve shqiptarë. /E.L/