“Prishtina – qytet modern”
Kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa të premten ka inspektuar zhvillimin e punimeve në disa projekte kapitale që po realizohen në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe të infrastrukturës.
Mustafa vizitoi objektin e Qendrës së Mjekësisë Familjare që gjendet afër Medresesë, pastaj inspektoi punimet në rrugën Ahmet Krasniqi në lagjen Arbëria, të cilën Komuna është duke e zgjeruar nga dy në katër korsi, pastaj inspektoi punimet në rrugën B dhe rrugën e re që po ndërtohet mbi kolektor në lagjen Kalabria.
Me këtë rast kryetari Mustafa kërkoi nga punëkryesit intensifikimin e punimeve dhe angazhim shtesë të punëtoreve, në mënyrë që këto dy projekte madhore për Prishtinën të përfundojnë sa më shpejt. Ai tha se se me realizimin e këtyre projekteve dhe ndërtimin e dy shesheve të reja në qendër të qytetit, sheshin “Ibrahim Rugova” dhe sheshin “Zahir Pajaziti”, Prishtina po ndryshon pamje, po e merr pamjen e një qyteti modern dhe të zhvilluar.
Kryetari i Prishtinës të premten inspektoi edhe punimet që po zhvillohen në ndërtimin e objektit të ri të Shkollës se Mesme Ekonomiko-Juridike, si dhe atë të shkollës fillore Meto Bajraktari, në të cilën përveç aneksit me disa klasa të reja është ndërtuar edhe salla e re e edukatës fizike. /Telegrafi/