Kalo te lënda

Policia e Kosovës bastisi bankat e Beogradit

Inspektorët të Bankës Qendrore të Kosovës me ndihmën e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës kanë hyrë të premten në lokalet “Dunav Bankës” në Graçanicë dhe kanë konfiskuar pajisje e dokumentacion.

Më parë me 5-6 vetura ishte bllokuar rruga e kryesore e Graçanicës, ndërsa pjesëtarë të njësive elite të policisë me të gjitha pajisjet kishin siguruar rrjedhën e operacionit, njofton radio KiM, medium serb nga Kosova.

Siç transmeton Koha, nga punëtorët e bankës është kërkuar licenca për punë e Kosovës, e pasi është thënë se ajo licencë nuk ekziston, inspektorët e BQK-së kanë konfiskuar kompjuterë, dokumentacion dhe arkën.

Në të njëjtën kohë bastisje dhe konfiskime janë bërë edhe në bankën Shtërpcës.

Edhe Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ka konfirmuar se ka ekzaminuar me ndihmën e Policisë së Kosovës sot në mëngjes dy lokacione nën dyshimin se aty zhvillohet aktivitet financiar i pa licencuar nga ana e BQK-së.

“Me rastin e ekzaminimit të lokacionit në territorin e komunës së Graçanicës, ekzaminerët kanë vërtetuar se institucioni financiar me emrin ‘Dunav banka A.D.Zvečan’ po zhvillonte aktivitet financiar të palicencuar. Në të njëjtën kohë, me rastin e ekzaminimit të të lokacionit në territorin e komunës së Shtërpcës, ekzaminerët kanë vërtetuar se institucioni financiar me emrin ‘Dunav banka A.D.Zvečan’ po zhvillonte aktivitet financiar të palicencuar”, ka konfirmuar BQK-ja nëpërmjet një komunikate për media.

Sipas BQK-së, procesi i ekzaminimit në të dyja lokacionet ka përfunduar pa ndonjë incident. Në të dyja lokacionet janë sekuestruar një sasi materiali dhe pajisjesh me të cilat zhvillohej aktiviteti i palicencuar dhe i njëjti është vënë në ruajtje të BQK-së dhe do të përdoret për procedim përkatës ligjor.

Ndërsa, Arbër Beka, zëdhënës i Policisë së Kosovës, ka thënë se inspektorët e BKQ-së, janë asistuar nga Policia e Kosovës, por jo nga Njësitet speciale RUSU, ashtu siç kanë raportuar mediet serbe./Telegrafi/