Kalo te lënda

PD, tjetër apel PS për heqjen e imunitetit: Merrni shembull nga opozita sllovake

Partia Demokratike ka ftuar edhe njëherë Partinë Socialiste dhe kryetarin e saj Edi Rama që në 6 gusht të votojnë për heqjen e imunitetit. Në një deklaratë për mediat zëdhënësja e selisë blu, Silvi Bardhi duke kujtuar se dje deputetët e Sllovakisë në një votim historik konsensual, shembën me votën e tyre të guximshme murin e imunitetit që i ndante nga qytetarët e vendit të tyre, PD përsëriti sërish ftesën për ligjvënësit socialistë.
“Partia Demokratike duke përshëndetur këtë akt historik të parlamentarëve të këtij vendi mik që qeveriset nga një koalicion i Qendrës së Majtë, fton edhe një herë z. Rama që si dëshmi s’e pranon barazinë para ligjit të qytetarëve shqiptarë, të ndjekë shembullin e së majtës sllovake dhe të votojë më datën 6 gusht, me konsensus, projektligjin për heqjen e imunitetit në të cilin janë marrë parasysh dhe janë përfshirë të gjitha kërkesat dhe propozimet e përfaqësuesve të Partisë Socialiste”, u shpreh Bardhi.

Zëdhënësja e PD shtoi se qytetarët nuk duan që qeveritarët, deputetët, gjykatësit, zyrtarët e tyre të lartë të mbrohen nga imuniteti për vepra penale për të cilat qytetarët e thjeshtë, fëmijët e tyre, përballen çdo ditë me ligjin dhe ndëshkimin ligjor.

Sipas saj, qytetarët shqiptarë presin me padurim që të zgjedhurit e tyre të votojnë më 6 Gusht për të shembur murin e korrupsionit duke faktuar kështu, se ata kanë guximin të ngrihen mbi interesat e atyre që përdorin imunitetin për pasurim të pamerituar, për të përvetësuar pasuritë publike, përdorin imunitetin për të fshehur pasuritë e tyre të paligjshme, për të vjedhur nëpërmjet kontrabandës dhe fshehjes së taksave, për të vjelur shuma marramendëse si ryshfete apo gjoba.

“Qytetarët e këtij vendi dhe miqtë e tyre kudo në botë, presin me padurim që ligjvënësit shqiptarë të votojnë më datën 6 Gusht për një Shqipëri që përmbush me dinjitet detyrimet për marrjen e statusit të vendit kandidat. Shqiptarët në Shqipëri dhe kudo në bote presin nga ta që të votojnë me 6 Gusht për heqjen e imunitetit dhe të mos pranojnë kurrsesi që procesi i Integrimit Evropian i Shqipërisë të mbahet peng nga një klub miliarderësh që për trafiqet e tyre kriminale, kontrabandën, tokat e pushtuara, pallatet pa
leje, nuk pranojnë kurrë të heqin dorë nga muri mbrojtës i imunitetit”- theksoi Bardhi.

Partia Demokratike i përsëriti sërish thirrjen Edi Ramës, duke i kërkuar që të ngrihet mbi interesat e paligjshme të një grupi të vogël miliarderësh në krye të Partisë Socialiste dhe të lejojë deputetët e Partisë Socialiste të votojnë më 6 gusht për shembjen e murit të korrupsionit, murit të zi që shtyn çdo ditë drejt mjerimit të varfrit e këtij vendi, që thellon çdo ditë pesimizmin dhe dëshpërimin.