Obama, para zgjedhjeve, forcon lidhjet me Izraelin
Presidenti Barack Obama ka nënshkruar të premten legjislacionin që zgjeron lidhjet ushtarake mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit.
Nënshkrimi i këtij ligji në një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë vjen një ditë para vizitës në Izrael të kundërkandidatit të tij në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, republikanit Mitt Romney.
Romney ka kritikuar presidentin lidhur me politikën e tij të jashtme dhe qëndrimin “injorues” që ka mbajtur ndaj Izraelit dhe kryeministrit Benjamin Netanyahu. Ai po ashtu ka kritikuar presidentin për qëndrim të “butë” ndaj Rusisë, Kinës dhe Iranit, duke thënë se “unë di se si Amerika duhet të sillet me këto shtete”.
Presidenti, i cili garon për të fituar edhe një mandat në Shtëpinë e Bardhë, po kërkon të marrë mbështetjen e votuesve hebrenj në disa shtete të rëndësishme, përfshi Floridan ku mund të ketë skepticizëm lidhur me mbështetjen e tij për Izraelin.
Obama vizitoi shtetin hebraik gjatë fushatës së tij të parë për në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2008 por nuk ka shkuar në Izrael që kur morri postin e presidentit. /Telegrafi/