Kalo te lënda

Maqedoni, nxënësit edhe këtë vit me tekstet që fyejnë shqiptarët

 

Parlamenti në Maqedoni

Ministria e Arsimit në Maqedoni ende nuk ka marrë asnjë masë ndaj teksteve shkollore me përmbajtje fyese ndaj shqiptarëve edhe pse kanë kaluar vite nga zbulimi i tyre. 

Ky problem është shtruar dje në seancën parlamentare, pasi deputeti i RDK- së, Izet Zeqiri, i ka drejtuar një pyetje të drejtpërdrejtë ministrit të Arsimit se kur do të përfundojë korrigjimit i teksteve, pasi edhe këtë vit shkollor nxënësit do të mësojnë me tekste, të cilat diskriminojnë shqiptarët.

“Ne sollëm ligj në Parlament, me të cilin ua dhamë dritën jeshile që t’i tërhiqni librat. Ka arritur projekti për tërheqjen e librave dhe a thua fëmijët në shtator do të fillojnë me libra të ri të korrigjuar nga ato të pavërteta shkencore dhe nga fyerjet që ju bëhen shqiptarëve në Maqedoni”,- tha Zeqiri.

Por ministri i Arsimit, Pançe Karalev, tha se puna ka filluar dhe është në fazën fillestare, edhe pse ky problem ka 3 vjet që është evidentuar.

“Procesi për shqyrtimin e vërejtjeve që kanë arritur deri tek komisionet profesionale të ngritura për korrigjimin e teksteve, është në zhvillim. Por këto vërejtje duhet të argumentohen. Prandaj, nevojiten analiza gjithëpërfshirëse, sepse nuk bëjmë dot ndërhyrje neper libra brenda natës. Kur të vendosim nëse duhet ndërhyrë apo jo, do të prononcohemi”,- tha Kralev.

Zbulimi për të pavërtetat në tekstet shkollore u bë në vitin 2009 nga mediat, por Komisioni për evidentimin e gabimeve në tekst është informuar 5 muaj më parë. Ndërsa ky i fundit ende nuk ka informuar Ministrinë e Arsimit, që do të thotë se edhe këtë vit nxënësit do të vijojë të mësojnë të pavërteta për shqiptarët. /E.L/