Dorëshkrimi “Dimri i vetmisë së madhe” dorëzohet në Arkiv
Një ditë pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, dorëshkrimi i veprës së shkrimtarit Ismail Kadare ‘Dimri i Vetmisë së Madhe’ është dorëzuar sot në Arkivin e Shtetit.
Pak ditë pasi shkrimtari Ismail Kadare iu drejtua gjykatës për të rimarrë dorëshkrimin origjinal të veprës “Dimri i Vetmisë së Madhe”, i cili mbahet padrejtësisht, sipas tij nga Nexhmije Hoxha, gjykata vendosi dje që ky dorëshkrim të ruhet në Drejtorinë e Arkivit të Shtetit, deri në momentin që të vendoset se cila nga palët ka të drejtë.
Pas vendimit avokati i zonjës Hoxha, Arianit Roshi, u shpreh për mediat se ajo do të zbatojë vendimin, duke iu bindur verdiktit të gjykatës. Por sipas tij, është krejt e padenjë që zoti Kadare kërkon të rimarrë një dhuratë që i ka bërë vite më parë Nexhmije Hoxhës. Nga ana tjetër, avokatja e zotit Kadare, Flonja Tashko deklaroi se nëse dorëshkrimi nuk dorëzohej në arkiv, në shtëpinë e zonjës Hoxha do të veprojnë përmbaruesit.
PADIA
Shkrimtari Ismail Kadare iu drejtua Gjykatës së Tiranës më 18 korrik me një padi civile ndaj Nexhmije Hoxhës. Ai kërkoi nga Gjykata të detyrojë të venë e diktatorit për ti kthyer dorëshkrimin origjinal të veprës “Dimri i Vetmisë së Madhe” shkruar nga autori në vitin 1971 dhe botuar në 1972 për herë të parë. Në padi Kadare pretendon se Nexhmije Hoxha e ka marrë dorëshkrimin në vitin 1972 gjatë një vizite që bëri në shtëpinë e tij, për ta ruajtur në Arkivin e Partisë.
Dorëshkrimi origjinal i veprës që sipas Kadaresë mbart vlera të mëdha shpirtërore dhe materiale, si dhe është trashëgimi kulturore, mendohej se kishte kaluar në arkivin qendror të shtetit. Në vitin 2005 Arkivi i Shtetit dhe muzeu historik nisën përpjekjet për ta marrë dorëshkrimin nga duart e Nexhmije Hoxhës, por e veja e diktatorit ka refuzuar me pretendimin se është dhuratë që i kishte bërë shkrimtari Kadare. Por ky i fundit shprehet në padi se Nexhmije Hoxha e ka marrë në posedim këtë dorëshkrim përmes mashtrimit.
(e.m/BalkanWeb)