Delegacioni kosovar si delegacion kinez
Kosova është diku një mijë herë më e vogël se Kina, gati në këtë raport ka popullatë më pak, ka një distancë rreth tetëmijëkilometërshe me këtë shtet aziatik dhe popujt e të dyja vendeve nuk i takojnë, madje, as racës së njëjtë. Kanë edhe formë qeverisëse të ndryshme, por kroatët po shohin një ngjashmëri.
Kryetari i Zagrebit, Milan Bandiq, nuk ka hezituar t’ia thotë në fytyrë këtë një delegacioni kosovar që e kishte pritur në zyrën e tij dy javë më parë. I ishte referuar numrit të madh të përbërjes së delegacionit, për të cilin kishte organizuar pritje.
Mysafirët e kryetarit të Zagrebit kishin qenë zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës dhe zyrtarë të Ambasadës së Kosovës në Zagreb. Atyre u printe ministri Dardan Gashi, që me vete kishte edhe zëvendësin Ilir Mirena, si dhe Arben Çitakun, Mrikë Maculën, Gëzime Hasanin dhe Servet Spahiun. Delegacioni që përbëhej prej nëntë zyrtarësh ishte shoqëruar edhe nga ambasadori i Kosovës në Kroaci dhe dy zyrtarë të tjerë të Ambasadës.