Kalo te lënda

Çeku: Ambasadori Dell ka dhënë shumë për FSK-në

Në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK), të premten është pritur me nderime ambasadori në largim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Christopher Dell. Për nder të ambasadorit Dell, ishin rreshtuar edhe kuadratet e FSK-së.

Me ekzekutimin e himnit të SHBA-së dhe të Kosovës, filloi zyrtarisht ceremonia lamtumirëse e organizuar për ambasadorin amerikan dhe atasheun ushtarak të Amerikës në Kosovë, kolonelin Arthur Beauchamp.

Ministri Agim Çeku me këtë rast ka dekoruar ambasadorinDell me medalje për “Shërbim Meritor”, ndërsa atasheun ushtarak kolonelin Beauchamp me medalje për “ Shërbim të shquar”.

“Ne jemi shumë mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Puna e juaj e palodhur i dha edhe një shtytje të madhe raporteve të veçanta në mes dy shteteve dhe popujve tanë. Gjatë misionit tuaj në Kosovë ju keni qenë gjithmonë të fokusuar në forcimin e partneritetit bilateral në mes vendeve tona. Me përkrahjen tuaj, Programi i Partneritetit Shtetëror me Gardën e Kombëtare të Ajovës dhe FSK-së është realizuar dhe tash po implementohet me sukses. Kemi realizuar një qëllim dhe një ëndërr të kamotshme”, tha ministri.

“Përkrahja e juaj për të filluar rishikimin strategjik të sektorit të sigurisë ka qenë vendimtare. Ju na mbështetët që për herë të parë institucionet e Kosovës të ndërtojnë institucione të mbrojtjes dhe sigurisë çfarë i nevojiten Kosovës. Ne kemi pranuar vitin e kaluar një donacion prej 2.5 milion dollarësh për projektin e sistemit për menaxhimin e informatave. Ky projekt është bërë në partneritet të ngushte me NATO-në. Ambasadori Dell, po ashtu ishte shtytësi kryesor, që për herë të parë të nënshkruhet Marrëveshja e Statusit të Forcave në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara”, tha Çeku.

Në fund ministri Çeku, ju drejtua, me këto fjalë ambasadorit Dell dhe kolonelit Beanchamp: “I dashuri Christopher, i dashuri Art, Falënderimet më të ngrohta për ju dhe punën tuaj si dhe për kontributin tuaj të jashtëzakonshëm. Gjithmonë ka qenë mirë kur e dinim se mund të llogarisim tek ju për të shkuar edhe një hap më tutje. Ju do të na mungoni, por entuziazmi i juaj si dhe përkushtimi i juaj do të kujtohet gjithmonë në Kosovë. Duhet ta dini se do të jeni gjithmonë të mirëseardhur në Kosovë dhe ju presim që të ktheheni përseri. Kosova është dhe do të jetë shtëpia e juaj”.

Ndërsa, në fjalën e tij, ambasadori Dell, përshëndeti ministrin Çeku, gjeneralët, oficerët, aleatët e NATO-s… “Dëshiroj të shpreh respektin tim, për ministrin Çeku që më tha këtë medalje për shërbim. E dija se FSK-ja ishte në duar të sigurta me ardhjen e tij. E dija se Çeku ishte njeriu i duhur në kohën e duhur për ta udhëhequr edhe një herë transformimin e FSK-së, sepse ai ka qenë në, transformimin, në krye të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Trupat e Mbrojtjes të Kosovës, dhe pastaj të këtyre trupave në FSK. Dhe pikërisht është njeriu i duhur për ta çuar përpara FSK-në, deri sa të bëhet përmbyllja e Pavarësisë së mbikëqyrur”, tha Dell.

“E di se jeni duke u zhvilluar në një forcë të tillë që i nevojitet Kosovës, Ju po bëheni, pikërisht një forcë e tillë, shumë etnike, profesionale e sigurisë e cila është simbol i Kosovës dhe asaj çka aspiron të bëhet. Shpresoj se në të ardhmen do t’ju shohim krah për krahë me popujt e tjerë të Shteteve të Bashkuara dhe të shteteve aleate të NATO-s, shteteve në rajon dhe më gjerë”, tha pos tjerash ambasadori Dell. /Telegrafi