Kalo te lënda

Shqiptarët e duan paqen, por nuk frikësohen nga lufta

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Panariti iu është përgjigjur kërcënimeve për luftë të presidentit të Serbisë, Tomislav Nikolic.

Gjatë homazheve në Prekaz, Panariti ka deklaruar që nuk druhet nga këto kërcënime, por se shqiptarët janë përcaktuar për një tjetër politikë.

“Nuk ka kërcënim që mund t’i frikësojë shqiptarët, por kjo nuk është rruga që mund të zgjidhë problemet”, ka thënë shefi i diplomacisë shqiptare gjatë ditës së dytë të vizitës së tij zyrtare në Kosovë, raporton Kosova.

“Shqiptarët edhe në luftëra kanë treguar se janë popull paqedashës, që dëshiron të bashkëjetojë me fqinjët dhe asnjëherë nuk kanë qenë agresorë, ndaj dëshirojmë të vazhdojmë këtë frymë”, ka thënë ministri Panariti.

Gjatë vizitës në Prekaz, i shoqëruar nga ambasadori i Shqipërisë, Islam Lauka, ministri Panariti është takuar me përfaqësuesin e familjes Jashari, Murat Jasharin. /Telegrafi/