Kalo te lënda

Një vit nga vrasja e Enver Zymberajt

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, i shoqëruar nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, me rastin e njëvjetorit të rënies së policit Enver Zymberi, kanë qëndruar në familjen e tij në Dubovc të Vushtrrisë. Ministri Rexhepi me këtë rast ka thënë se aksioni i 25 korrikut ka qenë aksioni më i madh në kohën e pasluftës, i cili përfundimisht ka hequr nga tryeza e spekulimeve ndarjen eventuale të Kosovës.

Në përvjetorin e parë të rënies heroike të policit të Njësisë Speciale ROSU, Enver Zymberi, ishin të pranishëm zyrtarë të lartë nga jeta politike kosovare, kolegë të tij nga Policia e Kosovës, si dhe qytetarë të shumtë.

Rexhepi, pas takimit që pati me familjarët e Enverit, deklaroi se aksioni i 25 korrikut të vitit 2011 ka bërë të mundur “që në atë pjesë të jenë të vendosura institucionet e Kosovës 24 orë”.

“Nuk jemi të kënaqur që dorasit ende nuk janë zënë. Mirëpo, janë ngrit aktakuzat dhe fletarresti ndërkombëtar. Ne kemi një qasje të kufizuar në pjesën veriore… Ata do të arrestohen dhe do të dalin para drejtësisë. Atëherë do të jetë më lehtë edhe për familjarët, por edhe për gjithë neve”, ka thënë ai.

Ministri ka nënvizuar se mbetet ende shumë për t’u bërë për ta shtrirë kontrollin e plotë në veri të vendit.

“Progresi në veri është një proces që shkon gradualisht. Ajo nuk mund të bëhet as me një aksion as me dy aksione. Është proces kompleks ku duhet të zbatohet sundimi i rendit dhe ligjit. Duhet të bëhen edhe ofertat ekonomiko-sociale të integrimit të këtyre qytetarëve dhe largimit të strukturave ilegale dhe kriminele që janë në veri”, ka thënë ai, transmeton “KosovaPress”.

Muharrem Zymberi, babai i Enverit është shprehur krenar për veprën e djalit të tij. Ai është shprehur i kënaqur edhe me punën e institucioneve, por ka kërkuar që të punohet edhe më shumë në zbardhjen e autorëve të vrasjes së djalit të tij.

“Ai është shkuar për dheun e Kosovë, për shqiptarinë… Premtime na kanë dhënë, tash po presim”, ka thënë ai.

Përvjetori i parë i vrasjes së heroit Enver Zymberaj po mbahet nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçit. Në këtë ditë, po ashtu do të bëhet edhe vënia e gurëthemelit të lapidarit të Enver Zymberajt në Prishtinë, si dhe do të mbahet një akademi përkujtimore. /Telegrafi/