KDI: Institucionet, burim i korrupsionit
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)/Transparency International Kosova (TIK) vlerësoi të enjten se Kosova edhe më tej vazhdon të përballet me mungesë të gatishmërisë së institucioneve në luftë kundër korrupsionit, ndërkaq bazuar në të gjeturat thuhet se institucionet e Kosovës jo që nuk kanë demonstruar rezultate në luftë kundër korrupsionit, por përkundrazi ato sot janë burimi i korrupsionit.
Sipas KDI-së, në këto gjashtë muaj nuk ka pasur fare efikasitet në luftën kundër korrupsionit.
Drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu ka thënë se Kosova edhe këtë vit vazhdon të përballet me mungesë të vullnetit politik dhe mungesë të përkushtimit në luftë kundër korrupsionit.
Sipas tij, motoja zero korrupsion, sot më lehtë do të pranohej si moto: zero vullnet, zero përkushtim dhe zero efikasitet në luftën kundër korrupsionit.
“Krijimi i super-mekanizmave për luftë kundër korrupsionit, si Agjencia Kundër Korrupsion, Task-forca dhe së fundi Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit, vlerësohet se nuk janë asgjë më shumë vetëm se barrë për buxhetin e Kosovës dhe shpenzim i keq i parasë publike. Po ashtu, këta mekanizma është thënë se janë të krijuar dhe veprojnë për efekte politike e mediale, sepse efekti i këtyre mekanizmave në luftë kundër korrupsionit është zero”, thuhet në kumtesë.
“Bazuar në këto të gjetura vlerësojmë se institucionet e Kosovës jo që nuk kanë demonstruar rezultate në luftë kundër korrupsionit, por përkundrazi ato sot janë burimi i korrupsionit. Institucionet kosovare keq-menaxhojnë dhe keqpërdorin paranë publike. Ato sot janë duke i shtyrë bizneset drejtë falimentimit dhe janë bërë pengesë serioze për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien qytetare”, ka deklaruar Kryeziu.
Ndërsa, Merita Mustafa, menaxhere e programit “Transparenca dhe Antikorrupsioni”, ka thënë se është brengosës fakti i mos reagimit të AKK-se për shumëfishimin e pasurive të disa zyrtarëve të lartë të, cilët brenda një periudhe të shkurtër kohore kane arritur në pasuri milionëshe.
Në konferencë është folur edhe për zvarritjen e Projektligjit për Konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme që po e bënë Ministria e Drejtësisë, si dhe mospërfilljen e rekomandimeve të shoqërisë civile.
Gjithashtu është theksuar se ky është një indikator i mjaftueshëm për të besuar se tani më “të fortit brenda institucioneve”, janë pengesë serioze për hartimin e ligjeve të cilat trajtojnë dhe do duhej ndëshkonin të gjithë ata që kanë krijuar pasuri të paligjshme.
Mustafa ka folur për gjetjet në sektorin e Prokurimit publik, ku në mes tjerash ka theksuar se shkelja e Ligjit për Prokurimin Publik po përcillet nga institucione të caktuara edhe me mungesë të hapësirës për transparencë, duke i pamundësuar opinionit të gjerë të kenë qasje të informatave rreth mënyrave të shpenzimit të taksave të qytetarëve. /Telegrafi/