Kalo te lënda

Ali Podrimja në Shtëpinë e Amshimit

Me nderimet e respektin e merituar, arkivoli me trupin e pajetë të poetit Ali Podrimja u vendos në shtëpinë e amshimit. Në varrezat e kryeqytetit, buzë rrugës që do t’ua kujtojë të gjithë atyre që do të kalojnë andej, se aty pushon trupi i poetit të madh, arkivoli me trupin e tij u soll nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ku për dy orë iu bënë homazhe nga kolegë, qytetarë e miq të veprës së tij nga të gjitha hapësirat shqiptare – Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Lugina e Preshevës e Mali i Zi.

Në ceremoninë mortore po ashtu erdhën të afërm, shokë e miq, ndër të cilët anëtarët e ASHAK, të shoqatave të shkrimtarëve, miq të fjalës poetike nga Shqipëria, ndër ta Xhevahir Spahiu, Sadik Bejko, Visar Zhiti, Bardhyl Londo. Kishin ardhur edhe zyrtarë nga Kosova e Shqipëria, ndër ta ministrat e Kulturës Memli Krasniqi e Aldo Bumçi, të pushtetit të Kosovës dhe nga komunat dhe shumë përfaqësues të medieve.

Të fundit me të ndjerin u ndanë akademiku e kritiku letrar Ali Aliu, miku e kryetari i PEN Qendrës së Kosovës, Basri Çapriqi të cilët kujtuan vlerën universale të vargut podrimian, me të cilin ai e bëri kombin të njohur thuaja në të gjithë botën. Në emër të familjes, ndërkaq, për Aliun prind, gjysh e poet foli i nipi i tij Genti Salihu, i cili e cilësoi atë njeri që jetoi për poezinë e vet, por gjithnjë të kujdesshëm edhe për fëmijët, nipat, mbesat e bashkëshorten, që do t’u mungojë dhe të cilët do të ngushëllohen me veprën që ua la. 
Kori i burrave të Gjakovës e përcollën të fundit poetin me këngën “Lamtumirë”.

Homazhe për poetin Ali Podrimja

Prishtinë, 26 korrik – 12:58 – (E plotësuar) –  Në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës që nga ora 12 kanë filluar homazhe për poetin Ali Podrimja. Përveç atyre me të cilët u shoqërua e bashkëpunoi, përveç miqve të fjalës së tij poetike, homazhe bënë edhe zyrtarë më të lartë vendit, të të gjitha institucioneve, të shoqatave dhe konfesioneve fetare. Ishin edhe shumë bashkëqytetarë të fëmijërisë së tij nga qyteti i lindjes, Gjakova, si dhe nga të gjitha qytetet e Kosovës.

Ata përveç nderimit me përkulje para arkivolit me trupin e pajetë të poetit kombëtar të madh, ngushëllonin edhe familjen. Heshtja mortore thyhej nga zërat në sfond me vargjet e poetit kushtuar jetës, vdekjes, ngadhënjimit e lirisë, gjeografisë së atdheut nga Mitrovica deri në Çameri, Ulqini e Presheva si dhe diaspora. Ceromonia mortore do të zgjasë deri në orën 14, kur kortezhi do të niset për në varrezat e kryeqytetit, ku do të pushojë përgjithmonë, duke i falë kështu Prishtinës edhe emrin e madh me të cilin do të krenohet. Në orën 14 e 30 ai do të lëshohet në varrezën, shtëpinë e amshimit, për të lënë pas emrin e veprën e madhe që nuk vdes.   

Trupi i pajetë i Ali Podrimës arriti në tokën e Kosovës sot pikërisht në 8:35, në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”, nëpërmjet linjës ajrore “Swiss Air”, fluturim ky i nisur nga Zurich-u i Zvicrës për në Kosovë, njoftuan mediet.
Djemtë e të ndjerit Podrimja kishin ndarë misionin e tyre për të atin, pikërisht për ditën e enjte. Në Aeroport e pritën për herë të fundit, këso here në arkivol, djemtë Petriti e Dreni me nënën Fitoren e motrën Donikën dhe nipa e mbesa.

Nën lot po përcillnin me sy arkivolin me trupin e pajetë të Aliut të cilin po e nxirrnin nga aeroporti i Prishtinës për ta futur në makinën për funerale.
I mbuluar me flamurin kombëtarë shqiptarë, flamur që iu besua më pas djalit të Aliut, Drenit, arkivoli po përcillej edhe nga akademikët e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës: Hivzi Islami, Mehmet Kraja, Rexhep Ismajli e Pajazit Nushi, varrim të cilin edhe e ka organizuar ky institucion i lartë i artit dhe i shkencës, anëtar i së cilës ishte edhe i ndjeri.

Ali Podrimjes sot i jepet lamtumira me muzikë e poezi

Prishtinë, 26 korrik – 10:14 – Trupi i pajetë i Ali Podrimjes është kthyer sot në atdhe. Ai arriti me aeroplan në Prishtinë nga misioni i i tij i fundit poetik, i papërfunduar. Prej tij sot do të ndahemi përgjithmonë, pas nderimeve që do t’i bëhen gjatë dy orëve në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ku punoi viteve të fundit. Në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” arkivolin me trupin e poetit e priti një delegacion i ASHAK-ut, në përbërje të kryetarit Hivzi Islami, nënkryetarit Pajazit Nushi dhe akademikëve Mehmet Kraja e Rexhep Ismajli. Përveç familjarëve, kishin dalë edhe miq të poetit e adhurues të poezisë së tij, si dhe zyrtarë.

Nga mesdita (12:00) për dy orë kortezhi me trupin e pajetë të akademik Podrimjes do të qëndrojë në ambientet e ASHAK-ut ku do t’i bëhen homazhe. Nisja për në varrezat e Prishtinës bëhet në orën 14:00, përderisa varrimi do të bëhet në orën 14:30.

Kompozitorin Rauf Dhomi, poeti i ndjerë Ali Podrimja kishte përmendur dëshirën që varrimi i tij të përcillej me muzikë. Akademik Dhomi kujton se poeti kohëve të fundit kishte shpeshtuar bisedat për vdekjen. “Ka kohë që thoshte se po vdes, por ka qenë një lajtmotiv që ne s’i kemi besuar. Më pati thënë ‘kur të vdes unë më përcillni me tinguj të orkestrës’”, kujton Dhomi. Amaneti i poetit të ndjerë do të çohet në vend.

Për dy orë sa do të zgjasin homazhet në AshAK, një kuartet harkor nga Tirana do të interpretojë pjesë të veprave mortore, derisa dy poetë kosovarë do të lexojnë poezi nga vepra më e njohur e Podrimjes “Lum Lumi”.

Lendita Pula, sekretare e Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës, ka thënë se institucioni më i lartë akademik në vend është kujdesur të organizojë një ceremoni të denjë për të nderuar Podrimjen.

“Meqë Ali Podrimja ka qenë anëtar i Akademisë, ne konsiderojmë se kjo është shtëpia e tij e dytë dhe meqë e kemi hapësirën e mjaftueshme dhe të gjitha kushtet, besoj që do të jetë ceremoni siç e ka merituar i ndjeri”, ka thënë Pula. Pula ka shtuar se përgatitjet për homazhe janë bërë nga ASHAK-u në koordinim me familjen e poetit dhe ka njoftuar se pjesëmarrjen në ceremoninë lamtumire për Podrimjen e kanë konfirmuar edhe përfaqësuesit e Akademisë së Shkencave e Arteve të Shqipërisë. Për Pulën, vdekja e Podrimjes është një humbje e madhe për gjithë stafin e ASHAK-ut.

“Jemi mësuar ta shohim çdo ditë në Akademi, me humorin e lehtë, me modestinë, me respektin jo vetëm për anëtarët, por edhe për gjithë stafin administrativ të akademisë”, ka thënë ajo.

Homazhet dyorëshe para trupit të pajetë të Podrimjes do të shoqërohen me tinguj të kuartetit harkor shqiptar dhe lexim të poezive nga aktorët Çun Lajçi e Ilire Vinca.

Derisa ka thënë se është nder që i është besuar një detyrë e tillë, aktori Çun Lajçi ka kujtuar herën e fundit kur ka lexuar poezi të Podrimjes.

“Ka qenë në promovimin për herë të dytë që i ka bërë përmbledhjes ‘Lum lumi’. Kjo gjë sa është nder, është edhe dhimbje e rëndë për mua”, ka thënë Lajçi. Ai ka thënë se bashkë me Vincën do të mundohet që brenda dy orëve të përthekojë gjithë përmbledhjen me poezi, të cilën poeti ia kishte dedikuar djalit të tij, që kishte vdekur në moshë të re nga sëmundja e leukemisë.

“Shpresojmë që për dy orë të kapërcejmë nëpër lexim gjithë veprën. Nuk do të jetë recitim, por do t’i përshtatemi atmosferës mortore”, ka thënë ai.

Aktorja Ilire Vinca ka thënë se ka pasur rast ta njohë për së afërmi poetin dhe është e nderuar, por të njëjtën kohë ndien dhimbje që do të lexojë poezitë e tij para arkivolit.

“Kam kujtim shumë të freskët për të edhe si njeri, por edhe si poet. Me shumë dhimbje, por të njëjtën kohë edhe me nder do të lexoj poezitë e tij me shpresë që do të jehojnë në veshët e të gjithëve që vijnë për të bërë homazhe”, ka thënë Vinca. “Është një simbolizim që fjala e tij nuk vdes kurrë”, ka shtuar ajo.

Pika e fundit e funeralit të Ali Podrimjes do të jetë interpretimi i këngës “Lamtumirë” nga Kori i Burrave të Gjakovës.

“Element i fundit është kënga lamtumire që këndohet nëpër varrime, e cila që nga vitet ‘80 u këndohet kryesisht martirëve dhe emrave të njohur të shkencës e politikës me rastin e vdekjes”, ka thënë akademik Rauf Dhomi.

Autoritetet franceze kanë konfirmuar të martën se poeti Ali Podrimja vdiq natyrshëm. Rezultatet e raportit mjekoligjor që janë kryer në Francë i janë dorëzuar Ambasadës së Kosovës atje. Ambasadori Muhamedin Kullashi ka thënë për gazetën se konstatimi kryesor i këtij raporti është se për vdekjen e poetit kosovar bëhet fjalë për vdekje natyrale.

Trupi i pajetë i Ali Podrimjes u gjet të shtunën e 21 korrikut, në një pyll afër qytetit Lodeve të Francës, prej ku kishte humbur kontaktet tri ditë më herët. Një tjetër raport në detaje për vdekjen e poetit do të jetë gati tek pas 15 ditësh. Atë po e kryen Klinika e Mjekësisë Ligjore në Montpellier, ku ishte dërguar trupi i pajetë i poetit.

Podrimja kishte udhëtuar për në Francë të hënën e 16 korrikut, për të marrë pjesë në edicionin e 15-të të festivalit të poezisë “Zërat e Mesdheut”. Të martën ai kishte folur për gazetën, ku kishte shprehur përshtypjet e tij për përfaqësimin që po i bënte kulturës shqiptare në këtë festival. Me organizatorët e këtij festivali ka folur të mërkurën rreth orës 10:00, që konsiderohet të jetë telefonata e fundit që poeti ka pasur.