Sadri Ferati e Zymer Halimi akuzohen se e dëmtuan Hasan Pretenin
Prishtinë, 27 qershor – Deputeti Sadri Ferati e gjenerali i FSK-së, Zymer Halimi, po ndiqen penalisht nga një prokuror për shkak se “ia kanë mohuar të drejtën Hasan Pretenit të merrte në shfrytëzim një banesë në Mitrovicë”.
Preteni, që drejton Agjencinë Kosovare kundër Korrupsionit, nuk e kishte fituar një banesë në vitin 2006 në Mitrovicë që, sipas prokurorisë, i takonte atij e jo Raif Pretenit. Aso kohe Komuna e Mitrovicës kishte ndarë disa banesa për kuadro. Në bazë të kritereve një i takonte Preteni,t si kuadër i TMK-së. Qiraja mujore për banesë ishte 0.50 euro për metër katror.
E për mohimin e kësaj të drejte Prokuroria e Qarkut e Mitrovicës ka gjetur dy përgjegjës, të cilët konsiderohen fajtorë. Ish-kryeshefi ekzekutiv i Komunës së Mitrovicës, deputeti i LDK-së, Sadri Ferati, dhe gjeneralbrigade Zymer Halimi, i cili aktualisht është udhëheqës i Departamentit të Operacioneve dhe Trajnimit në FSK, akuzohen nga prokurori i Qarkut të Mitrovicës, Jusuf Mejzini, për shpërdorim të detyrës zyrtare, vepër kjo që dënohet deri në tetë vjet burgim (gjerësisht në “Kohën Ditore”).