Kalo te lënda

Rasmussen: NATO përjashton ndarjen e Kosovës

Në numrin e nesërm “Koha Ditore” boton një intervistë ekskluzive të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen. Ai në këtë intervistë e vlerëson lart kontributin e NATO-s në Kosovë në këto 13 vjet, prej kur ka nisur misioni i KFOR-it. Rasmussen flet edhe për planet për shkurtime të reja në praninë e NATO-s në Kosovë, duke thënë se realizimi i këtyre planeve është shtyrë deri në një kohë tjetër për shkak të incidenteve në veri.

Duke folur për veriun, sekretari i përgjithshëm i NATO-s angazhohet për një zgjidhje politike, përmes dialogut. Ai përsërit vërejtjet e tij se EULEX-i nuk ka kapacitete të duhura për të kryer të gjitha detyrat dhe thotë se për këtë NATO-ja dhe BE-ja flasin haptas mes vete.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s thotë se të gjithë duhet të kuptojnë se kurrsesi nuk do të ketë ndarje të Kosovës. Shefi i NATO-s zotohet se Aleanca përmes misionit të KFOR-it në Kosovë do të bëjë çmos për të siguruar lirinë e lëvizjes për të gjithë. Ai flet edhe për rolin e Forcave Kosovare të Sigurisë dhe për çështje tjera të lidhura me misionin e KFOR-it në Kosovë. (KD/INA)