Mbrojtja: Prokurori mori dëshmi duke shkelur ligjin
Në Gjykatën e Hagës po vazhdon seanca përmbyllëse e procesit të pjesshëm gjyqësor ndaj ish-kryeministri të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe dy ish-bashkëluftëtarëve të tij, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj, të cilët akuzohen për krime lufte të kryera në Kosovë, ku mbrojtja po vazhdon të thotë fjalën përfundimtare, kundër provave të paraqitura nga prokuroria.
Në fillim të kësaj seance mbrojtja e Idriz Balajt ka vazhduar paraqitjen e argumenteve që i kundërshtojnë ato të paraqitura nga prokuroria e që i bëjnë përgjegjës të pandehurit në fjalë për gjoja krime lufte në zonën e Dukagjinit.
Mbrojtja e Balajt, gjatë paraqitjes së dëshmisë, është fokusuar në disa deklarata të dëshmitarëve të prokurorisë, e që, sipas mbrojtjes, nuk kanë të bëjnë me realitetin që ka ndodhur në atë kohë.
Avokati mbrojtës i Idriz Blajt, Grey Smith, i ka thënë trupit gjykues se prokuroria është mbështetur në dëshminë e dëshmitarit “66”, i cili ka thënë se të gjithë romët që nuk kanë dashur të hyjnë në UÇK janë sulmuar, apo se ata kanë pasur marrëdhënie të mira me serbët. Por Smith ka thënë se në po të njëjtin paragraf, dëshmitari “66” ka thënë se të gjithë ata shqiptarë që nuk donin të luftonin kundër serbëve, janë viktimizuar.
“Dëshmitari 66 në këtë drejtim përshkruan historikun dhe përshkruan se si njerëzit që pretendonin se ishin viktima paraqiten në pikën 1, siç pretendon pika 1 se ata kanë qenë viktima. Pra, UÇK-ja i ka sulmuar romët sepse nuk janë futur në të, apo se ata apo familja e tyre kanë pasur marrëdhënie të mira me serbët. Në të njëjtin paragraf thuhet se ata shqiptarë të Kosovës që nuk donin të luftonin kundër serbëve janë viktimizuar nga UÇK-ja”, ka thënë ai.
Avokati ka përmendur edhe dëshmi kundërthënëse nga dëshmitarët, ku, sipas tij, ata kanë thënë se në atë kohë UÇK-ja ka sulmuar edhe njerëz të LDK-së dhe bashkëpunëtorë të saj. Sipas tij, kjo bie në kundërshtim me një pjesë tjetër të po atij paragrafi të dëshmisë, të cilën prokuroria e lë jashtë procesit si fakt, e që ka të bëjë me atë se LDK-ja në 97-ën ka deklaruar publikisht se qëndron pas UÇK-së.
“Është interesant të thuhet se një nga dokumentet ku është mbështetur prokuroria është ajo e zotëri Stijeviç (dëshmia P121) që përdorët për të thënë se UÇK-ja ka sulmuar bashkëpunëtorë, por ajo që e lë jashtë prokuroria është se në të njëjtën deklaratë thuhet se ‘në 97-tën LDK-ja publikisht deklaroi se ajo qëndronte pas UÇK-së dhe se e mbështeste”, ka thënë ai.
Po ashtu, sipas avokatit të Balajt, Smith, nuk ka bazë që e vërteton pretendimin se klienti i tij ishte i njohur si njeri brutal dhe se i pëlqente dhuna. Ai ka thënë se kur dëshmitari “17” u shty të jepte dëshmi lidhur me vërtetimin e këtij pretendimi, ai nuk kishte ç’të thoshte.
“Nuk është fare bazë faktike për pretendimin e ngritur se Idriz Balaj ishte i njohur si njeri brutal dhe si i pëlqente dhuna. Në fakt dëshmitari ‘17’ kur u shty të jepte fakt për të mbështetur pretendimet e tilla, nuk kishte ç’të thoshte”, ka thënë ai.
Smith, po ashtu, i ka tërhequr vërejtjen edhe sot prokurorit se është bazuar në thashetheme të dëshmitarëve mbi të cilat është munduar ta vërtetojë namin e zi ndaj Idriz Balajt.
“Është thënë në më shumë se njëherë të mbështetësh në thashetheme është njëlloj sikurse të kapësh ujin me rrjetë dhe thashethemet. Fjalët nuk janë ato mbi të cilat mund të mbështetet një argument. Po të shikosh në dosjen e prokurorisë dhe po të kujtosh që u thanë ato të hënën nuk është e drejtë që të përpiqesh që fajësinë e Balajt ta mbështetesh në gjoja namin e keq që vetë ato mbështeten në thashetheme. Nami i keq nuk zëvendëson provat, dëshmitë për të provuar përtej dyshimit të arsyeshëm se ai ishte i fajshëm”, ka thënë ai.
Lidhur me këtë, avokati Smith ka thënë se marrja dhe bazimi në thashetheme është shkelje e ligjit, i cili e ndalon përdorimin e një lloji të tillë të dëshmive.
“Duke u mbështetur në këtë gjë, prokuroria gjithmonë ndjekë tri rrugë të papërshtatshme. Ato shkelim rregullin themelor të drejtësisë në shkelje të nenit 21, i cili ndalon përdorimin e një lloj dëshmie të tillë, për arsye përpjekjen për të përcaktuar fajësinë e zotëri Balajt duke u mbështetur në këto lloj dëshmie është e pabesueshme”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se thashethemet hapin kutinë e kandorës dhe hapin një dritare papërgjegjshmërie dhe që s’kanë të bëjnë fare me provat.
Kurse për dëshminë e dëshmitarit “80”, avokati Smith ka thënë se ai është një gënjeshtar, i cili e përdori vdekjen e vëllait të tij për të kërkuar azil jashtë vendit, ku avokati mbështetjen në dëshminë e këtij dëshmitari e cilësoi si “të rrezikshme”.
“Ai është gënjeshtar. Ai gënjeu në lidhje me të vëllain. E përdori vdekjen e vëllait të tij për të marrë azil politik duke trajtuar çështjet më të rëndësishme. Ai nuk ka ndërgjegje. Ai është i gatshëm edhe kufomën e vëllait ta përdorë për të realizuar qëllimin e tij dhe juve ju kërkohet që ta besoni atë, të mbështeteni në dëshminë e tij. Unë ju sugjeroj se ky është një propozim i rrezikshëm”, ka thënë ai.
Një kundërthënie tjetër në dëshminë e po këtij dëshmitari është se, sipas mbrojtjes, ai kishte pretenduar se e kishte parë Idriz Balajn në Jabllanicë, gjë të cilën nuk e kishte vërtetuar nëna e këtij dëshmitari, e cila po ashtu ishte me të.
“Ai pretendoi se e kishte parë Idriz Balajn në Jabllanicë. Prokuroria nuk bëri përpjekje për ta verifikuar identifikimin e tij (të Balajt). Nëna e tij nuk e vërtetojë atë që tha ai dhe ajo ka qenë me të”, ka thënë ai.
Smith më tej ka thënë se dëshmitari “80” ose gënjeu ose ka probleme me kujtesën e tij. Sipas avokatit, nëse pranohet dëshmia e dëshmitarit “80”, atëherë, minimumi që duhet të bëjë gjykata është që t’i hedhë poshtë dëshmitë e dëshmitarëve “3”, “6”, “31”, “28”, “66”.
Kurse Richard Harbi, avokat i Lahi Brahimajt, gjatë paraqitjes së argumenteve të tij, ka folur ndër të tjera për pretendimet e dëshmitarit “80”, i cili, sipas avokatit, synon se kërcënimet për vdekje janë bërë ndaj tij. Avokati Harbi ka thënë se këto pretendime të dëshmitarit “80” janë hetuar edhe nga UNMIK-u, të cilët nuk gjetën asgjë që i lidhte pretendimet e tij me UÇK-në.
Sipas këtij avokati, pretendimet e këtij dëshmitari janë të mbështetura në sajesa, shpikje e gënjeshtra.
“Këto pretendime janë hetuar në thellësi, me hollësi, ku dëshmitarit iu treguan dokumente, me qëllim që ai të reagonte ndaj tyre. Gjithashtu, u hetuar nga UNMIK-u dhe nuk gjeti asgjë që ta lidhte këtë pretendim me UÇK-në dhe, siç e kemi thënë edhe ne aty, jeta e fshehtë e dëshmitarit ‘80’ i ngjante një jetë të fshehtë të Valter Mitit. Ai pretendon të jetë gjithkund, të ketë parë gjithçka. Por për mendimin tonë këto pretendime mbështeten në sajesa, në shpikje, në gënjeshtra, në ato që i kanë thënë të tjerët dhe duhet të kemi parasysh potencialin se mund të jetë sugjeruar se në këtë mënyrë ai do të përfitonte ato që ka përfituar si rrjedhojë e dëshmisë së tij në këtë çështje”, ka thënë ai.
Avokati më tej nxori edhe arsyen se pse dëshmitari “80” gënjeu, duke e lidhur atë me nevojën për të përfituar nga dëshmia e tij, pasi që, sipas avokatit të Brahimajt, dëshmitari “80” në Kosovë kishte humbur punën dhe atij i duhej mbajtur familjen e tij. Sipas avokatit Harbi, historia e këtij dëshmitari ishte e lidhur përgjatë viteve edhe me kontrabandimin me armë, vepër kjo që rëndonte mbi kurrizin e tij dhe e bënte atë të përballej me akuzë penale.
“Motivi i tij për të gënjyer është mbështetur nga nevoja dhe nga tamahqarllëku i tij. Ai kishte humbur punën, qoftë nëse është hequr nga puna, siç ju thatë, se e kërcënoi bosin e tij me një armë, apo thjesht se është larguar nga puna siç pretendoi ai. Sido që të ketë qenë puna, ai nuk kishte mundësi të vazhdonte si një punonjës pastrimi, nuk kishte mundësi të gjente ndonjë punë tjetër në Kosovë, ishte i ve, me fëmijë, kishte fëmijë për të mbajtur dhe një histori që vazhdonte me vite kontrabandë armesh, e cila i rëndonte në kurriz dhe që e bënte atë të përballej me akuza penale. Pra, ai duhet të bënte ç’është e mundur që të plotësonte të ardhurat e tij”, ka thënë ai.
Avokati Harbi dëshmitarin “80” e ka cilësuar si njeri dinak, një njeri që është manipulues dhe sipas avokatit, këto aftësi ai i ka shfrytëzuar mjaft mirë për interesin e vet. Sipas Harbit, kur ky dëshmitar erdhi për të dëshmuar në Hagë, gjëja e parë që i doli nga goja ishte gënjeshtra, dhe i cili ato që i thoshte nuk mundi t’i vërtetonte para trupit gjykues.
“Ai është një njeri mjaft dinak, një njeri që është manipulues dhe këto aftësi i ka shfrytëzuar në mënyrë të shkëlqyer për interesin e vet. Në fund, pasi ka përdorur çdo marifet të pandershëm për të mos ardhur këtu në Hagë, trupi gjykues ka pasur rastin marifetet e tij t’i shikojë për një periudhë prej disa ditësh. Gjëja e parë që doli nga goja e tij ishte gënjeshtra. Ai pretendoi që kishte certifikatë nga mjeku që duhej të shtrihej në spital. Kur ju i kërkuat që ta shikonit ato gjëra që ai tha, doli se doktori nuk kishte urdhëruar që t’i nënshtrohej ndalimit të tij dhe në ditët që pasuan gjoja sëmundja e tij u shërua në mënyrë të çuditshme”, ka thënë ai.
Harbi gjatë paraqitjes së dëshmisë së tij foli edhe për dëshmitarin “81”, duke mos folur gjatë për të, por duke i mbështetur të gjitha ato që i kishte thënë parafolësi dhe kolegu i tij, Ber Emerson (avokat i Ramush Haradinajt). Avokati Harbi u shpreh i habitur se si prokuroria u përpoq të paraqiste dëshmitë e këtij dëshmitari dhe mbështetjen e saj mbi ato dëshmi.
“Të vjen të thuash, dëshmitari ’81’ nuk është më këtu dhe nuk kemi përse të merremi me të, por unë miratoj çdo gjë që zotëri Emerson (avokat i Ramush Haradinajt) i tha me aq zotësi në lidhje me arsyet se përse ka rëndësi të shikojmë mënyrën se si prokuroria u përpoq të paraqiste dëshmi përmes këtij dëshmitari të neveritshëm dhe natyrën e prokurorisë e cila përpiqet që të mbështetet në një dëshmitar të këtij kalibri”, ka thënë ai.
Ai kritikoi mënyrën e sjelljes së prokurorisë, e cila sjell të dëshmojnë dëshmitarë, siç ishte ai “81”.
“Çfarë lloj prokurorie është ajo që sjell këtu dëshmitar të tillë dhe mbështetet në dëshmitar të tillë”, ka thënë ai.
Ai ka kërkuar që dëshmitë e dëshmitarëve të hidhen poshtë, pasi që, siç tha ai, ato janë marrë mbi bazën e gënjeshtrave dhe nuk e vërtetojnë asnjë dëshmi mbi klientin e tij.
Habri duke folur më tej rreth dëshmisë së dëshmitarit “81” dhe kontradiktave në deklaratat e tij kur ai kishte paraqitur arsyen se pse po kërkonte azil jashtë vendit. Sipas avokatit Harbi, dëshmitari “81” derisa po kërkonte azil para autoriteteve të emigracionit, ai nuk tha asnjë fjalë të vetme që ishte i keqtrajtuar nga UÇK-ja, apo se kishte parë ndonjë njeri tjetër të jetë keqtrajtuar nga UÇK-ja. Sipas avokatit, do të kishte qenë e vërtetë se dëshmitari “81” ishte i keqtrajtuar apo rrezikohej Lahi Brahimaj apo ndokush tjetër, dëshmitari do ta bënte këtë gjë pa dyshim, pasi që ai do ta kishte një pretekst shumë të mirë që ta fitonte azilin. Por sipas tij, ai nuk e bëri një gjë të tillë.
“Ai mori mbështetjen më të neveritshme, siç qe një avokat i emigracionit mund të donte ta bënte: ‘Ju lutëm rihapeni çështjen, sepse ne kemi informacion se ky person do të përballet me kërcënime për jetën e tij, për familjen e tij në rast se e ktheni mbrapsht’. Një avokat i dërguar nga perëndia për të në këtë rast, por i mbështetur në gënjeshtra, për shkak se ju të nderuar gjykatës keni pasur rast të shikoni atë që tha ai përpara autoriteteve të emigracionit për të mbështetur kërkesën për azil. Ai nuk tha asnjë fjalë të vetme që ishte keqtrajtuar nga UÇK-ja apo për ndonjë njeri tjetër që ishte keqtrajtuar nga UÇK-ja. Ai nuk e përmendi kurrë Jabllanicën, ai nuk e përmendi asnjëherë Bahimajn, dhe pse nuk e përmendi?! Sepse po të kishte qenë e vërtetë, do të kishte qenë një bazë e përsosur për të që të kërkonte azil”, ka thënë ai.
Ai shtoi se ky dëshmitar nuk tha asnjë gjë lidhur me këtë çështje, por e pohoi të kundërtën, duke thënë se kishte frikë sepse serbët ia kishin vrarë vëllain dhe sipas avokatit, ky dëshmitar nuk tha asnjëherë se atë gjë e kishte bërë UÇK-ja.
Seanca po vazhdon edhe në këto çaste. Seanca e sotme pritet të jetë përmbyllëse për këtë gjykim të pjesshëm ndaj Ramush Haradinajt, Idriz Balajt dhe Lahi Brahimajt. Pas përfundimit të këtyre seancave, trupi gjykues rreth fillimit të shtatorit të këtij viti pritet të dalë me vendimin përfundimtar për tre të akuzuarit.