Hoxhaj: Integrimi i veriut përmes dialogut me qytetarët
Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, në një intervistë për agjencinë kombëtare të lajmeve të Bullgarisë, BTA, ka deklaruar se Republika e Kosovës kurrë nuk do të bëjë kompromise sa i përket pavarësisë, sovranitetit dhe funksionalitetit të shtetit të saj. Ai ka thënë se institucionet e Kosovës janë të gatshme të integrojnë serbët përmes një dialogu të brendshëm ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe qytetarëve të saj në komunat veriore.
Lidhur me zhvillimet në veri, Hoxhaj ka theksuar se që nga viti 1999, Serbia ka ushtruar kontroll në atë pjesë të Kosovës përmes strukturave ilegale policore, njësive të sigurimit, grupeve paramilitare, që paraqet shembullin e vetëm në Evropë sot, ku një shtet fqinj përpiqet të kontrollojë pjesë të territorit të një shteti tjetër të pavarur.
“Strukturat ilegale, të cilat janë të lidhura e krimin e organizuar dhe të cilat janë të udhëhequra, të kontrolluara dhe të financuara nga Qeveria e Beogradit, kanë mbajtur në vitet e fundit peng popullatën serbe lokale duke mos e lejuar që të integrohet në institucionet e Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.
Ministri i Jashtëm i Kosovës ka shprehur vendosmërinë dhe vullnetin e Qeverisë së Kosovës që të realizojë integrimin e 30 mijë serbëve në komunat veriore në institucionet e Kosovës, siç ka ndodhur me 100 mijë serbët në pjesën tjetër të Kosovës.
“Por, fakti se Serbia vazhdon të mbajë strukturat ilegale policore, të sigurisë dhe strukturat kriminale në tri komunat veriore të Kosovës tregon se Serbia si një kandidate e re për BE, po shkel parimet e Bashkimit Evropian, dhe po kërcënon paqen dhe stabilitetin regjional dhe ndërkombëtar. Në muajt e fundit ne kemi parë dy fytyra të Serbisë: një Serbie që sillet si një shtet pro-evropian në relacion me Brukselin dhe një Serbie që sillet në mënyrë anti-evropiane në raport me Kosovën”, tha Hoxhaj për BTA-në, duke shtuar se në të njëjtën kohë zgjedhjet e fundit presidenciale dhe parlamentare në Serbi kanë treguar një kthim të politikës serbe në të kaluarën. /Telegrafi/