Kalo te lënda

Gjendja në Kosovë është shqetësuese

Ministri i jashtëm serb, Vuk Jeremiq ka takuar përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton në Bruksel, me të cilën kanë biseduar edhe për Kosovën.

Jeremiq i ka përcjellur shqetësimet e tij për gjendjen momentale në Kosovë, duke i thënë përfaqësueses së lartë të BE-së se “gjendja në Kosovë është shqetësuese”.

Për këtë, ai ka thënë se fajin e kanë shqiptarët pasiqë sipas tij, “ata gjithmonë shfrytëzojnë vakumin institucional në Serbi për të shkaktuar trazira”.

Jeremiq ka thënë se pret nga KFOR-i dhe EULEX-i që të mos lejojnë eskalimin e situatës dhe të kryejnë misionin e tyre për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit duke shtuar se “kjo është shumë e rëndësishme”, raportojnë mediat serbe.

Ai ka përmendur edhe trazirat e vitit 2004 në Kosovë, duke thënë se shqiptarët në Kosovë po mundohen të shkaktojnë trazira si atëherë për shkak të mungesës së qeverisë serbe.

Jeremiq dhe Ashton kanë folur edhe për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Ne kemi qenë gjithmonë që dialogu të jetë edhe politik, por kjo dështoi kur Prishtina shpalli njëanëshëm pavarësinë”, citohet të ketë thënë Jeremiq. /Indeksonline/