Kalo te lënda

Finalisti i parë është Spanja

Kombëtarja spanjolle është kualifikuar në finale të Kampionatit Evropian – Euro 2012, pasi në gjysmëfinale e ka eliminuar Portugalinë pas ekzekutimit të penaltive.Ishte një lojë mjaft atraktive në gjysmën e parë me lëvizje herë në njërën e herë në anën tjetër të fushës, megjithatë munguan rastet e vërteta për të shënuar.

Të dyja palët krijonin presion herë pas here, por mund të thuhet se loja ishte mjaft taktike me kujdes të posaçëm në fazën e mbrojtjes.

Sa u përket spanjollëve mund të përmendim goditjet e Arbeloas dhe Iniestas jashtë portës, ndërkohë që Ronaldo ka mundur të bëjë më shumë në disa raste.

Edhe gjysma e dytë e takimit ishte e ngjashme me atë të parë me një përqendrim maksimal të lojtarëve të të dyja përfaqësueseve.

Një lojë e zhvilluar kryesisht në mesfushë me shumë pak raste konkrete për të shënuar, derisa ekipet pritnin gabimin e palës tjetër për ta ndëshkuar.

Ndërkohë që kampioni në fuqi nuk po e ndërtonte lojën e vet të zakonshme, Cristiano Ronaldo dështoi që në fund të kohës së rregullt t’ia siguronte finalen kombëtares së tij.

Pjesa e parë e vazhdimeve ishte në favor të spanjollëve, të cilët patën një rast shumë të mirë shënimi përmes Andres Iniestas, ndërsa shumë afër ishte edhe gjuajtja e lirë e Sergio Ramos.

Furia e Kuqe luajti më mirë edhe në pjesën e dytë të vazhdimeve, ndërsa rastin më të mirë e pati Pedro, i cili nuk u tregua i shpejtë sa duhet.

Sido që të jetë, pas 120 minutave rrjetat heshtën dhe u desh që të ekzekutoheshin penaltitë për ta përcaktuar finalistin e parë.

Pas ekzekutimit të penaltive, më të saktë u treguan lojtarët spanjollë, të cilët në finale do ta presin fituesin e duelit mes Gjermanisë dhe Italisë.


Formacioni startues i Portugalisë (4-3-3): Patricio; Pereira, Pepe, Bruno Alves, Coentrao; Moutinho, Veloso, Meireles; Nani, Almeida, Ronaldo.

Banka rezervë: Beto, Eduardo, Costa, Rolando, Lopes, Custodio, Micael, Viana, Quaresma, Oliveira, Varela, Postiga.

Formacioni startues i Spanjës (4-3-3): Casillas; Arebloa, Ramos, Pique, Alba; Alonso, Busquets, Xavi; Silva, Negredo, Iniesta.

Banka rezervë: Reina, Valdes, Albiol, Martinez, Juanfran, Cazorla, Navas, Mata, Pedro, Llorente, Torres, Fabregas.