Diplomuan dhe u graduan kadetët e rinj të FSK-së
Në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes të FSK-së, në Ferizaj, me një ceremoni solemne, të mërkurën diplomoi gjenerata 2012-të e kadetëve të Qendrës së Studimeve Universitare (QSU) të (FSK).
Në ceremoninë e diplomimit-gradimit merrnin pjesë; ministri i FSK-së, Agim Çeku, Komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Kadri Kastrati, dhe komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Erhard Drews.
“Të nderuar kadet-faleminderit për këtë pamje kaq të bukur që na dhuruat e cila na bën të gjithë neve të ndihemi krenarë me juve, dhe që nga sot, ju po e fuqizoni FSK-në, po filloni t’i shërbeni vendit dhe popullit tuaj. Kjo ceremoni të nxit ndjenja të veçanta kur FSK-ja po rritet, po fuqizohet dhe që nga sot, po i shtohen edhe këta oficerë të rinj, të shkolluar, të edukuar dhe të trajnuar sipas standardeve më të larta të NATO-s”, tha ministri Çeku.
“Diplomimi dhe gradimi i kadetëve është një shembull i qartë i zhvillimit dhe i progresit përmes investimit në dije dhe në shkencë, që po e krijon Forca e Sigurisë së Kosovës në ngritjen, profesionalizimin e saj, si investimi më i mirë për të ardhmen. Kjo po dëshmon më së miri, se ne po e krijojmë një forcë profesionale dhe me standardet më të larta, të NATO-s. Me këto standarde ne mund të jemi pjesë e NATO-s dhe mund të ndihmojmë në misionet e sigurisë kolektive edhe jashtë vendit, për të mirën e rajonit dhe më gjerë”, tha gjenerallejtënant Kastrati.
Ndërsa komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Drews, pasi përshëndeti, tha se, për më tepër se tri vite kemi punuar së bashku, në Kosovë, për ta krijuar këtë forcë të sigurisë, me çka duhet të jeni krenar të gjithë. “Që nga sot, ju po bëheni oficerë udhëheqës, sepse ju e keni zgjedhur një rrugë të shenjtë dhe si do ta drejtoni sot e tutje, do të vendosni se çfarë oficeri do të bëheni. Ju keni marrë mësime të shumta se si do të bëheni lider dhe si t’i merrni vendimet e duhura në kohën e duhur”. /Telegrafi/