Kalo te lënda

Austria mbështet integrimin euroatlantik të Kosovës

Qeveria e Austrisë do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën dhe rrugën e saj të integrimeve euroatlantike. Kështu tha sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme të Austrisë, Johannes Kyrle, i cili sot u prit në një takim nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Presidentja Jahjaga e vlerësoi ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë për Kosovën dhe theksoi se të dyja vendet kanë një bashkëpunim të ngushtë ndërshtetëror në fusha të ndryshme, posaçërisht në atë të arsimit dhe të energjisë.

Ajo tha Kosova është faktor stabiliteti dhe paqeje në rajon dhe promovuese e fqinjësisë së mirë, dhe vlerësoi se rruga e vetme e Ballkanit Perëndimor është ajo e integrimeve euro-atlantike.

Duke theksuar rëndësinë e marrjes së udhërrëfyesit dhe të fillimit të studimit të fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, Presidentja Jahjaga, tha se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që të përmbushin të gjitha standardet dhe kriteret e nevojshme për të përshpejtuar proceset integruese, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Presidenca.

Ajo theksoi nevojën e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialogun me Republikën e Serbisë, që është ndërmjetësuar dhe lehtësuar nga BE-ja.

Presidentja Jahjaga foli edhe për vendosjen e sundimit të ligjit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, me theks të posaçëm në tri komunat në veri të vendit, ku strukturat ilegale dhe kriminale serbe, të mbështetura nga Republika e Serbisë, po i mbajnë peng qytetarët serbë në këtë pjesë.

Sekretari i përgjithshëm Ministrisë së Jashtme të Austrisë, Johannes Kyrle, shprehu mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë austriake për Kosovën dhe rrugën e saj të integrimeve euro-atlantike, duke thënë se e ardhmja e gjithë rajonit është në integrimet në Bashkimin Evropian.

Ai tha se mbështetja e qeverisë austriake është konkrete edhe përmes pranisë në fusha të ndryshme në Kosovë dhe theksoi se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve do të intensifikohet edhe më tej. /Telegrafi/