Kalo te lënda

AAK e AKR, ‘anemike’ përballë Isës

Dy partitë më të mëdha në vend, PDK dhe LDK, siç duket kanë mbetur të vetmuara në garën për ta udhëhequr Prishtinën. Derisa LDK-ja aktualisht udhëheq me kryeqytetin, partia më e madhe në vend, PDK, përmes formave të ndryshme po përgatitët që ta marrë nën udhëheqje Prishtinën.

Këtë gjë PDK-ja po e bën përmes formimit të kabinetit për qeverisje të mirë dhe formave tjera brenda Kuvendit Komunal, siç janë dhënia e alternativave për qytetarët e kryeqytetit se si do të udhëhiqej Prishtina më mirë.

Në anën tjetër, partitë tjera si AAK, AKR e LDD, janë dorëzuar përballë dy partive më të mëdha në garën për ta marrë udhëheqjen e Prishtinës, shkruan gazeta “Lajm”.

Sipas analistit Imer Mushkolaj, PDK e ka peng Prishtinën dhe asnjëherë nuk është ndalur së vepruari dhe organizuari për ta marrë pushtetin në kryeqytet.

AKR-ja, edhe pse është partia e parë opozitare në Kuvendin Komunal, që prej se kryetari Isa Mustafa udhëheq me Prishtinën, kjo parti thuajse asnjëherë nuk ka dalë në opinion për të ofruar alternativën e saj për një qeverisje ndryshe. Megjithëkëtë, ish-kandidati për të parin e kryeqytetit nga radhët e AKR-së, Vegim Gashi, thotë se partia e tij e ka në prioritet qeverisjen më kryeqytetin, por se ende janë në vëzhgim të situatës.

“Nuk është çështja se ne nuk kemi interes për Prishtinën. Jemi duke punuar në këtë aspekt. Por normalisht që te ne nuk është zhvilluar shumë ideja e qeverisjes nën hije. Secilit kryetar komune i duhet një afat kohor për të mundur që të dëshmojë veten dhe zbatueshmërinë e programit të cilin e ka”, thotë Gashi.

Megjithatë, janë bërë tri vite qëkur kryetari Mustafa ka ardhur në krye të qeverisjes më kryeqytetin dhe, sipas Gashit, në disa aspekte ka pasur progres, e në disa do të duhej menaxhuar më ndryshe.

Nga ana tjetër, as zyrtarë të partisë tjetër opozitare, AAK-së, nuk tregojnë për ndonjë plan konkret se si të qeverisët më Prishtinën, por mohojnë faktin se nuk janë të interesuar.

Ish-kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e AAK-së, Besnik Tahiri, shpreh bindjen se nuk qëndron ajo se AAK nuk po dëshiron të udhëheqë kryeqytetin.

“Realisht ne kemi shikuar temat e caktuara dhe në to kemi reaguar. Nuk kemi qenë shumë dinamikë, por kemi reaguar. Ne kemi dalë kryesisht në kohë të ndryshme, kur kemi menduar që ka ndonjë temë me shumë interes të madh, siç është Ligji për Prishtinën. E vërteta është se nuk kemi një kabinet nën hije, dhe nuk do ta bëjmë një të tillë, ngase mendojmë se kabinetet nën hije kanë dështuar deri tash. Domethënë janë kabinete për të bërë zhurmë”, thotë Tahiri.

Ndërsa, qeverisja Mustafa e deritashme, sipas tij, ka shumë punë për të bërë dhe po çalon në shumë pika. Tahiri mendon se synimet që i ka pasur kryetari Mustafa për Prishtinën nuk janë arritur./Indeksonline/