Kalo te lënda

Rexhep Qosja nuk u ftua për hatër të Sali Berishës!

Historiani dhe akademiku Arben Puto e quan një turp ftesën e munguar të Akademisë së Shkencave (të Shqipërisë) për akademikun Rexhep Qosja në akademinë solemne që do të mbahet në nëntor me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, raporton e përditshmja Shqip.

Në 26 nëntor të këtij viti, Akademia e Shkencave do të organizojë një akademi solemne për të kremtuar 100-vjetorin e Pavarësisë, ku janë ftuar personalitete nga trevat mbarëshqiptare.

Emrat e konfirmuar janë: Kristo Frashëri, Ismail Kadare, Arbën Xhaferri, Françesko Altimari, Pëllumb Xhufi, Mihal Shmit nga Gjermania, Tito Johalas nga arvanitasit e Greqisë, etj. Ftesa nuk ka shkuar për akademikun Rexhep Qosja, ku preteksti duket se ka qenë zëri i fortë kritik ndaj qeverisë (së kryeministrit Sali Berisha).

Historiani Arben Puto, i ftuar për të referuar në këtë aktivitet, shprehet se në këtë rast do ta shohë në vazhdim nëse do të jetë i pranishëm. “Arsyet ishin të thjeshta, na thanë të mos i ngatërronim me qeverinë, sepse ai është shprehur kundër Kryeministrit. Po sa janë shprehur kundër Kryeministrit? Kjo nuk e justifikon aspak këtë qëndrim”, ka thënë Puto.

“Turpi është bërë tashmë. Rexhep Qosja mund të mos pranojë kurrfarë marrëveshjeje pas kësaj që është bërë. Si mund të përjashtohet një personalitet kaq i madh i studimeve shqiptare dhe një patriot i flaktë i atdheut unik?! Nga Kosova rezulton të jetë thirrur vetëm kryetari i Akademisë së Shkencave, Hivzi Islami, i cili me sa di unë nuk ka lidhje me studimet albanologjike”, është shprehur Puto. /Telegrafi/