Kusari as pendohet, as ngutet për çimenton
Prishtinë, 26 qershor – Vendimi për marrjen e masave të përkohshme mbrojtëse në importin e çimentos për të gjitha vendet, duke vendosur një tarifë prej 35 për qind në import të saj, do të ndryshojë. Vendimi i ri do të merret deri në fund të kësaj jave. Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, thotë se nuk po e përshpejton procesin e heqjes së masave të përkohshme shkaku i presionit e as frikës për shkarkim.
Në një intervistë për “Kohën Ditore”, ajo ka bërë të ditur se janë afër finalizimit të analizës dhe brenda kësaj jave mund të merret një vendim për ndryshimin apo anulimin e tërësishëm të vendimit, të cilin e kishte marrë 10 ditë më herët. Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë nuk është penduar se e ka marrë këtë vendimin, që për të nuk është i gabuar. Vendimi, sipas saj, është marrë në mbrojtje të prodhimit vendor të çimentos.
Arsyeja e marrjes së vendimit është rekomandimi i grupit punues të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, pas kërkesës së kompanisë “SharrCem” për shfrytëzimin e ligjit mbi masat mbrojtëse për prodhuesit vendorë, sqaron ajo. Ky ligj mundëson vendosjen e masave të përkohshme, pastaj konsultimin me të gjitha palët e përfshira dhe natyrisht rekomandimi i grupit që ka përcjellë situatën e tregut të çimentos dhe faktit se është vërtetuar se për një periudhë të shkurtër sasia e importuar e çimentos është rritur për 1500 për qind, apo prej një tregu prej 3 për qind të importuesve në rritje 35 për qind pa ndonjë ndryshim substancial të çmimit, gjë që ka ndikuar drejtpërsëdrejti në rrezikshmërinë e prodhuesit vendor. Dhe si reagim për një situatë të tillë ata kanë kërkuar inicimin e masave të përkohshme mbrojtëse dhe pas një muaji të analizimit të situatës në terren ka ndodhur marrja e këtij vendimi që ka bërë barazimin e çmimit të prezantuar në kufi me atë në treg, që do të thotë 35- përqindëshi është vendosur si rrjedhojë e çmimit të prezantuar në kufi dhe çmimit të tregut për atë çimento të importuar.
E pyetur se nëse del se nuk ka pasur nevojë për një vendim të tillë, a do të ketë shkarkime, Kusari-Lila u përgjigj:
Jo, në asnjë mënyrë, për shkak se baza në të cilën është marrë rekomandimi është bazë e qëndrueshme. Këtu ose është informalitet aq i madh në ekonominë e ndërtimit dhe aty ku përdoret çimentoja, pasi ka pasur një rritje aq të madhe në përputhshmëri me nevoja të tregut, ose ka ndodhur diçka, në këtë rast kemi nevojë për kontroll më të madhe me inspektorë ose arka fiskale. Ne e dimë që i kemi bërë hapat e domosdoshëm për mbrojtjen e prodhuesit (gjerësisht në “Kohën Ditore”).