Kalo te lënda

Isa dhe Tërnava “të parët” te xhamia

Punimet për ndërtimin e Xhamisë së Re ka filluar. Këto punime i kanë për së afërmi sot edhe kryetari i Prishtinës Isa Mustafa dhe Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava.

Xhamia e Re, është duke u ndërtuar tek vendi i quajtur “Blloku III i ndërtesave” afër PTK-së, në Dardani.

Fillimisht Myftiu Tërnava dhe kryetari Mustafa panë nga afër punët që po kryhen në shpimet gjeomekanike në truallin e ndarë nga komuna për xhami.

“Në emër të Kryesisë së BI të Kosovës, në emër të besimtarëve dhe në emër të gjithë qytetarëve të Kosovës, dëshiroj që të falënderoj kryetarin e Prishtinës, të gjithë këshilltarët e Kuvendit komunal, stafin e komunës dhe të gjithë ata që u angazhuan që kjo parcelë të ndahet për ndërtimin xhamisë që ka qenë nevojë e kamotshme, dhe njëherësh ishte edhe kërkesë e vazhdueshme e Bashkësi Islame që të kemi një vend ku besimtarët tanë të kenë mundësi të kryejnë ritet e tyre, ibadet adhurimet për të Madhin Zot xh.sh”, tha Tërnava.

Ndërsa duke folur për bashkëpunim e BIK me Komunën Prishtinës, Myftiu tha se “bashkëpunimi, i Bashkësisë Islame të Kosovës me Kuvendin Komunal të Prishtinës edhe në të kaluarën po edhe tani është jashtëzakonisht në nivel”.

“Kuvendi komunal, ka bërë një gjest jashtëzakonisht të madh dhe ka argumentuar se Kuvendi komunal është për një bashkëjetesë të besimtarëve brenda kryeqendrës sonë”.

“Besoj që shpejt ne do jemi gati që të vëmë gurthemelin e xhamisë së re, bashkë me kryetarin e Prishtinës dhe me përfaqësuesit e institucioneve të tjera të Kosovës dhe shpresoj do të ndodh në gjatë muajit të Ramazanit”, tha ndër të tjerat Myftiu Tërnava.

“Kemi pas orientime të ndryshme me caktimin e lokacionit, gjithherë kemi qenë të interesuar që të caktohet një lokacion që kishte hapësirë të mjaftueshme, për një xhami të madhe sepse ka qene vlerësimi i BIK që të zgjidh problemin. Është obligim i yni që të krijojmë kushte normale për të gjithë, në rend të parë për BIK si komuniteti më i madh. Prishtina po ashtu ka bërë zgjidhje për konfeksion katolik. Ne kemi investuar edhe në objekte tjera siç është rasti në restaurimin e xhamisë së çarshisë e cila do të rikonstruohet dhe do të duke shume bukur”, tha Isa Mustafa.

I pyetur nga gazetarët për financimin e ndërtimit të xhamisë Myftiu Tërnava tha se nuk kam pikë dyshimi se këtë xhami do ta ndërtojnë besimtarët, “jo vetëm të Kosovës por besimtarët e trojeve tona etnike shqiptare, që do të marrin pjesë me donacionet e tyre për ndërtimin e xhamisë”./Indeksonline/