Gërxhaliu: Nuk i pengova hetimet
Pak orë pas vdekjes së kreut të AKP-së, Dino Asanaj, eksperti i mjekësisë ligjore, Arsim Gërxhaliu, kishte dalur në media duke konstatuar se vdekja e Dino Asanajt, ishte vetëvrasje.
Ka qenë të menjëhershëm zërat në media që kanë thënë që ky prononcim i Gërxhaliut, i pengon hetimet e më tutjshme të vdekjes së Dino Asanajt.
Mirëpo, sipas Gërxhaliut, kjo dalje në media nuk i pengon hetimet e më tutjeshme, pasi që ai ka thënë se kishte marrë leje nga eprorët e tij për të dalë para mediave.
“Jo, në këtë rast jo, sepse kjo ka qenë një autopsi e lehtë dhe është vërtetuar që ishte vetëvrasje. Unë kam kërkuar leje nga ministri dhe prokurori për tu prononcuar për media dhe kjo nuk i pengon hetimet” ka thënë Gërxhaliu për Indeksonline.
Indeksonline ka tentuar të bisedojë edhe me kryeprokurorin e Qarkut në Prishtinë, Aleksandër Lumezi, mirëpo ky i fundit ka qenë i pakontaktueshëm.
Ndërkaq, drejtori i Organizatës “ÇOHU” Avni Zogiani, ka thënë për Indeksonline se hetimet për vdekjen e Dino Asanajt më shumë i pengon presioni i kryeministrit Hashim Thaçi.
“Jo, mendoj që ma shume sesa fjala e eksperteve mjeko-ligjor, hetimet i dëmton presioni i kryeministrit si dhe paragjykimi i rastit nga ana e qeverisë. Të mos harrojmë që ditën e parë kur është dhënë lajmi, qeveria e ka lëshuar një komunikatë në të cilën këtë rast e ka konsideruar si sulm ndaj institucioneve, prandaj sot kryeministri është duke bërë presion që ky rast patjeter të këtë një version që i pershtatet komunikatës së qeverisë të lëshuar si shumë herë tjera në afekt nga propagandistët” ka thënë Zogiani për Indeksonline.
Ndërkohë së fundi Qeveria e Kosovës, i është drejtuar FBI-së për të ndihmuar në rastin e Dino Asanaj./Indeksonline/