Dënohet SharrCemi
Dogana e Kosovës dënon fabrikën e prodhimit të çimentos “SharrCem” në Kosovë për mashtrim tarifor. Këtë e bëri të ditur zëdhënësi i doganave të Kosovës Adriatik Stavileci, i cili tha se nuk është në dijeni për shumën e masës së shqiptuar nga Komisioni për Kundërvajtje Doganore.
Diçka e tillë ndodhi pasi Sharr Cem u mundua të sjellë çimento në Kosovë fshehurazi nëpërmjet kufirit me Maqedoninë. 12 maune me çimento të pafinalizuar për disa ditë kanë qëndruar në kufirin me Maqedoninë sepse doganierët kosovare dyshonin se brenda tyre ka çimento e jo lëndë të parë siç ishte deklaruar malli.
Sipas burimeve doganore, siç citon Top Channel, deklarimi i rrejshëm nga “SharrCem” është bërë për t’i ikur taksës doganore prej 35 për qind të vënë nga ministria e tregtisë për shtetet importuese të çimentos për të mbrojtur pikërisht “SharrCemin”.
E teksa e gjithë kjo bëhet në kohën kur importi i çimentos është shtrenjtuar, ministria e tregtisë ka dëgjuar të martën shqetësimet e të gjitha palëve të interesit.
Në një njoftim thuhet se “Ministria e Tregtisë dhe Industrisë mbajti takim me përfaqësues të bizneseve dhe të institucioneve qeveritare të Kosovës për të diskutuar rreth vendimit të çimentos”.
Qëllim i këtij forumi ishte mbledhja e informatave nga përfaqësuesit e bizneseve, që do të verifikohen në vazhdimësi. Para se të shkojë në një vendim tjetër ministria e tregtisë zotohet se do ti verifikojë të gjitha faktet e prezantuara nga përfaqësuesit e bizneseve.
Prezent në këtë takim ishin edhe përfaqësuesit e “SharrCemit” të cilët kanë deklaruar se nuk do të ketë ngritje të çmimit të çimentos.
Me 11 qershor të këtij viti ministria e tregtisë mori vendimin për vendosjen e masës tarifore prej 35 për qind për të gjithë importuesit e çimentos, me arsyetimin se nga importi i këtij produkti është dëmtuar prodhimi vendas./Indeksonline/
