Kalo te lënda

Shqiptarët në Medvegjë fitojnë 16 për qind

Medvegjë, 25 ershor – Partia shqiptare PVD në Medvegjë, si subjekt i vetëm i shqiptarëve, që garoi në këtë komunë t Luginës së Preshevës, është radhitur e treta sa i përket rezultatit të zgjedhjeve të djeshme lokale.

PVD, lista e udhëhequr nga Florim Sahiti ka fituar rreth 16 për qind të votave, ndërsa në vend të parë është radhitur partia e Listës së Inicativës Qytetare, të udhëhequr nga kryetari aktual i Medvegjës, Sllobodan Drashkoviq, i cili ka fituar mbi 45 për qind të votave, raporton INA.

Në vend të dytë është radhitur Partia Demokratike Serbe me 18 për qind të votave të fituara.

Në këto zgjedhje kanë dalë mbi 50 për qind të votuesve, ndërsa nuk është vërejtur fluks i kënaqshëm i shqiptarëve të shpërngulur të Medvegjës, të cilët nuk kanë respektuar thirrjet për tu kthyer në vendlindje dhe për të shprehur të drejtën e votës. Shoqata “Vatra” në Kosovë ka shprehur indinjatën e thellë edhe ndaj diasporës dhe shoqatave të Medvegjës atje, të cilët nuk kanë respektuar thirrjet për kthim në vendlindje.

Shqiptarët përmes PVD pritet të vazhdojnë marrëveshjen e koalicionit me kryetarin e deritanishëm Drashkoviq. Por, jozyrtarisht mësohet se me këtë rezultat shqiptarët arrijnë një pozicion më të kënaqshëm se sa në zgjedhjet e fundit lokale.