Kalo te lënda

Grabitet gruaja e Bashkim Alibalit

Tiranë, vjedhjet me dhunë në rrugë, për 6 muaj 100 femra u sulmuan nga hajdutët e “floririt”

Bashkëshortes së këngëtarit Alibali i këpusin dy varëse floriri nga qafa.

Bashkëshortja e këngëtarit të njohur Bashkim Alibali ka rënë pre e grabitësve teksa kthehej për në shtëpinë e saj, tek ish-Parku i Autobusëve, në Tiranë.
Mimoza Alibali, 52 vjeçe, është sulmuar nga një 20-vjeçar tashmë i identifikuar rreth orës 22:00, një javë më parë, në rrugën “Ndre Mjeda”. Autori i ngjarjes, pasi ka pikasur së largu dy varëset në qafën e bashkëshortes së këngëtarit, i është vënë pas derisa ajo është gjendur në një rrugice të errët dhe më pas i është afruar. Me gjithë tentativën e Mimoza Alibalit për ta ndaluar, grabitësi ka arritur t’i shkulë nga qafa të dy varëset e floririt, megjithatë nga nxitimi për t’u larguar i ka rënë në tokë celulari që mbante në dorë. E dëmtuara ka lajmëruar menjëherë në Sallën Operative të Policisë së Tiranës dhe në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë forcat e Komisariatit Nr.2. Burime nga Policia thanë se nga tërheqja e varëseve me forcë, autori i kishte shkaktuar një plagë të lehtë në qafë 52-vjeçares Alibali, ndërsa në vendin e ngjarjes kishte lënë një provë mjaft të rëndësishme, celularin e tij, nëpërmjet të cilit është identifikuar. Të njëjtat burime thanë se vetëm 24 orë pas ngjarjes u bë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar, që sipas Policisë është Ilir Brija, 20 vjeç, nga Kukësi dhe banues në lagjen “Nish Tulla 3”, në Tiranë. Policia ka nisur kërkimet në terren për arrestimin e autorit të ngjarjes.
VJEDHJET E VARESEVE
Gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, statistikat e vjedhjeve me dhunë në rrugë, kryesisht të varëseve të floririt, janë rritur ndjeshëm, duke bërë që ngjarje të tilla të kthehen në një fenomen mjaft shqetësues kryesisht për femrat. Nga të dhënat statistikore rezulton që vetëm në kryeqytet, që nga fillimi i vitit e deri tani, janë vjedhur me dhunë në rrugë rreth 100 femra. Duket se muaji më problematik për ngjarje të tilla është muaji qershor, që numërohen të kenë ndodhur rreth 50 vjedhje me dhunë, kryesisht varëse floriri. Sipas ekspertëve të Policisë së Tiranës, gjatë stinës së verës varëset e floririt janë të ekspozuara në qafën e femrave, duke i bërë kështu edhe më të dukshme, por edhe më të lehta për t’u vjedhur. Por pavarësisht se shumica e këtyre ngjarjeve kanë ndodhur në mes të ditës, madje edhe në sy të dhjetëra dëshmitarëve, identifikimi i autorëve është mjaft i vështirë nga ana e Policisë. Kjo për shkak se jo gjithmonë ata lëvizin në këmbë. Kryesisht përdorin motoçikleta për t’u larguar nga vendi i ngjarjes dhe zhduken nëpër rrugica të ngushta, duke humbur gjurmët edhe në pamundësi të ndjekjes nga makinat e policisë. Megjithëse Policia e Tiranës ka kryer disa operacione, duke arrestuar dhjetëra autorë për ngjarje të tilla kriminale, duke qenë se pjesa më e madhe e tyre janë adoleshentë dhe në moshë të mitur, ata dalin shumë shpejt nga qelitë për t’u hetuar në gjendje të lirë. Në këtë formë ata vazhdojnë ta përsërisin aktivitetin e tyre, duke bërë që të rritet dita-ditës edhe numri i femrave që bien pre e këtyre sulmeve.

Në kërkim  autori i vjedhjes
Personi që ka sulmuar në rrugë një javë më parë bashkëshorten e këngëtarit të njohur Bashkim Alibali, është identifikuar brenda 24 orëve nga oficerët e hetimit të krimit të Komisariatit Nr.2. Identifikimi i tij është kryer me ndihmën e një telefoni celular, që i përket autorit, të cilit i ka rënë nga dora gjatë sekondave që po i shkulte nga qafa dy varëset e floririt 52-vjeçares Mimoza Alibali. Burime nga Policia thanë se i dyshuari është shtetasi Ilir Bedri Brija, 20 vjeç, lindur në Shëmri të Kukësit dhe banues tek “Nish Tulla 3”, në Tiranë. Ai dyshohet të jetë autor edhe i disa ngjarjeve të tjera kriminale të kësaj natyre. I dyshuari është shpallur në kërkim dhe pritet arrestimi i tij.