Dialogu i letrave krijoi edhe koncesione
Prishtinë, 25 qershor – Kur ka folur për fundin e takimeve të saj me Borislav Stefanoviqin, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka gjetur një dështim në gjithë procesin e dialogut: zbatimin e marrëveshjeve. Sipas saj, rezultati që ka krijuar procesi deri tash janë vetëm disa letra. Moszbatimi i marrëveshjeve, sipas saj, e bën edhe të panevojshëm vazhdimin e procesit.
Por ministri i parë i Jashtëm i Kosovës, tash deputet i partisë më të madhe opozitare, LDK, Skënder Hyseni, nuk mendon se dialogu që u quajt teknik ka krijuar vetëm letra.
“Dialogu ka krijuar disa koncesione të dhimbshme të Kosovës”, ka thënë për “Kohën Ditore”, ish-ministri Hyseni.
Dialogu njëvjeçar mes zëvendëskryeministres së Kosovës, Edita Tahiri, dhe drejtorit politik të Ministrisë së Jashtme të Qeverisë në largim të Serbisë, Borislav Stefanoviq, ka krijuar gjithsej shtatë marrëveshje. Ato me qëllim që të mos ketë nevojë të nënshkruhen nga palët dhe të miratohen nga të dy parlamentet përkatëse, u quajtën konkluzione të dialogut.
Procesi është ndërprerë në pranverë, me arsyetimin e mbajtjes së zgjedhjeve në Serbi. Diplomatët ndërkombëtarë kanë shfrytëzuar muajt pas dialogut për të planifikuar avancimin e nivelit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Po planifikohet një takim mes liderëve, presidentëve ose kryeministrave dhe një dialog politik, kur krahas telekomit gjegjësisht prefiksit që do të përdorë Kosova si dhe së drejtës mbi transmisionin energjetik të Kosovës, do të diskutohej edhe për Gjykatën e Qarkut në veri të Kosovës dhe disa të drejtave tjera të qytetarëve atje.
As Edita Tahiri as Borislav Stefanoviqi, që udhëhoqën dialogun teknik, nuk do të jenë përfaqësues në procesin e avancuar. Edhe lehtësuesi që do të bëhet zyrtarisht ndërmjetës, nuk pritet të jetë Robert Cooper (gjerësisht në “Kohën Ditore”).