Kalo te lënda

Kompanitë e Lidhura me Drejtuesit e SHIK-ut

Dy kompani private që u kanë dhënë rroga Ferat Shalës e Fadil Demakut, dy ish-zyrtarëve të lartë në hierarkinë e Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), kanë përfituar rreth 1 milionë euro kontrata nga prokurimet publike të Komunës së Drenasit, ka zbuluar Gazeta Jeta në Kosovë.

Javën e kaluar, gjatë një dëshmie në Gjykatën e Qarkut të Prishtinës në rastin e njohur si “Bllaca 2”, ish-shefi i SHIK-ut Kadri Veseli ia dorëzoi kolegjit një dokument me hierarkinë që kishte kjo organizatë. Në të figuronte se Ferat Shala udhëhiqte drejtorinë e kundër-zbulimit ndërsa Fadil Demaku atë të kundër-terrorizmit.

Demaku, pas mbylljes zyrtare të kësaj organizate, ishte angazhuar si zyrtar në kompaninë private “Ada Consulting Group”, që ka dalë fitues në tenderët e Komunës së Drenasit. Kjo komunë udhëhiqet nga vëllai i tij Nexhat Demaku që prej dhjetorit 2007, siç thuhet në deklaratën e tij zyrtare të pasurisë.

Me këtë institucion ka lidhur kontrata publike edhe kompania “Trasing Group”, e cila e ka ish-drejtorin e Drejtorisë Kundër-Zbulim të SHIK-ut Ferat Shalën të punësuar si Këshilltar Profesional./Indeksonline/