Kalo te lënda

Buzhala e ka parë dorëheqjen e Kuçit si një tek prej qeveritari

Prishtinë, 24 qershor – Kuçi, krahu i djathtë i kryeministrit Thaçi, ka ofruar dorëheqjen nga dy funksionet në Qeveri, nga ai i zëvendëskryeministrit dhe i ministrit të Drejtësisë, për shkakun që katër deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, me votat e tyre, bënë që Kodi i ri Penal të përmbante edhe nenet që, sipas përfaqësuesve të medieve, janë në kundërshtim me normat evropiane dhe perëndimore. Ata janë: Berat Buzhala, Adem Grabovci, Latif Gashi dhe Elmi Reçica, shkruan sot Koha Ditore.Këta e dinin zotimin publik paraprak që kishte dhënë Kuçi për dorëheqjen. Por, Buzhala, i cili ka qenë kryeredaktor i një gazete të afërt me PDK-në para se formalisht të hynte në këtë parti dhe të kandidohej për deputet, e ka parë këtë si një tek prej qeveritari.

“Kuvendi i Kosovës nuk do të duhej të ishte adresa e duhur ku do të plotësoheshin teket e disa individëve, qofshin këta gazetarë, qeveritarë apo çka do tërtër”, ka thënë Buxhala në Kuvend, para qitjes në votim të Kodit. “Pra, ne do të votojmë kundër heqjes së këtyre neneve, si grup parlamentar”.

Në garën për t’u bërë deputet, Buzhala pak vota kishte mundur të merrte në vendlindjen e tij, Klinë. Por, të nevojshmet ia kishte siguruar vetë Thaçi, duke e marrë pas vetes në fushatë,veçanërisht në Drenicë, bastion i PDK-së.
(Më gjerësisht sot në Koha Ditore)