Qeveritarët kundërshtojnë firmosjen e kontratës kolektive, “fajin” ia lënë FMN-së
Qeveria e Kosovës ka kundërshtuar kontratën kolektive të propozuar nga anëtarët e Këshillit Ekonomiko-Social. Marrëveshja e përgjithshme apo kolektive nuk është ripërtërirë që nga viti 2004.
Të premten, gjatë takimit të Këshillit Ekonomiko-Social, përfaqësuesit e Qeverisë kanë kundërshtuar miratimin e kësaj kontrate, meqë kanë konsideruar se e njëjta është në kundërshtim me rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar, shkruan Koha.
Fadil Racaj, drejtor i Departamentit ligjor në Ministrinë e Punës dhe të Mirëqenies Sociale, ka thënë se marrëveshja kolektive është dokument i ndjeshëm deri në miratimit e tij. Sipas tij, është shumë vështirë që të arrihet pëlqim nga Fondi Monetar për firmosje të këtij dokumenti. /Indeksonline/