PDK-ja ngufat mediet – Kuçi jep dorëheqjen, Thaçi turpërohet
Prishtinë, 23 qershor – Hajredin Kuçi, krahu i djathtë i kryeministrit Hashim Thaçi, është larguar të premten nga kabineti qeverisës si pasojë e votimit të katër deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës për t’i mbajtur në Kodin e ri Penal nenet që ngufatin lirinë e medieve. Me veprimin e Berat Buzhalës, Adem Grabovcit, Latif Gashit dhe Elmi Reçicës, është turpëruar edhe vetë shefi i PDK-së dhe i Qeverisë, Hashim Thaçi. Kuçi qysh para dy muajve ai pati paralajmëruar se do të jepte dorëheqjen në rast se nenet që cenojnë lirinë e medies nuk do të hiqeshin nga Kodi Penal.
“Unë dua t’ju shikoj në sy”, u ka thënë Kuçi gazetarëve në një konferencë shtypi dhe ka shtuar se për këtë do të ketë mirëkuptim edhe nga kryeministri Thaçi.
Deputetë të PDK-së, që nuk kanë dashur t’u përmendej emri, kanë thënë për gazetën se ende nuk po arrijnë ta kuptojnë se si Berat Buzhala arriti ta çonte në dorëheqje njeriun që konsiderohet i afërt me kryeministrin Thaçi.